Tiranë, 2 prill, NOA - Në një vjetorin e hyrjes së vendit në NATO, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka deklaruar se gjatë këtij vitit vendi ka përjetuar një sërë padrejtësish të bëra nga qeveria.
Në një konferencë dhënë sot për gazetarët, kreu i PS-së u shpreh se viti i parë në Aleancën e Atlantikut Verior e gjen Shqipërinë me mungesën e garancive elementare.
"Drejtësia dhe liria kanë qenë nën kërcënimin e vazhdueshëm. Ky është bilanci i këtij një vjetori të Shqipërisë në NATO. Ky përvjetor i parë i hyrjes në aleancën e parimeve dhe vlerave të demokracisë, na gjen në mungesë të garancive më elementare për qytetarët", ka thënë Rama.
Ai është ndalur në fjalën e tij dhe në problemet e zgjedhjeve, duke theksuar se qeveria nuk ka përmbushur detyrimet si një vend që bën pjesë në organizatën më të madhe të sigurisë në botë.
Kreu i PS-së theksoi se "deformimi i vullnetit të popullit që i pati rrënjët tek zgjedhjet solli një vit me protesta në gjithë vendin".
Rama u ndal në situatë e politike dhe theksoi se protestat do të vijojnë deri në protestën e madhe në 30 Prill.
I pyetur nga mediat se cilat do të jenë lëvizjet e radhës së opozitës, Rama u shpreh se do të ketë, "protesta, protesta dhe vetëm protesta, ky është plani A, B, C, protestat".
m.xh.NOA