English

Jaka: Bashkëpunimi me Caritas, dimensioni njerëzor i biznesit

Tiranë, 2 Prill NOA - Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Nikolin Jaka nënshkroi sot memorandum bashkëpunimi me z. Albert P. Nikolla, drejtorin e Caritas Albania.

Nënshkrimi i kësaj marrëveshje vjen në dimensione të një lloji krejt tjetër nga iniciativa që Dhoma ka ndërmarrë për të bashkëpunuar me institucione që përfaqësojnë biznesin, apo që rrisin mundësinë për të sjellë një biznes elitar.

Ky bashkëpunim që vjen sot i formalizuar më Caritas Albania ka në thelb të tij dimensionin humanitar të sipërmarrjes shqiptare, ndaj shikohet si e një lloji të veçantë dhe me një përgjegjësi të lartë sociale. Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka u shpreh pas nënshkrimit të këtij memorandumi se "ky është një moment i rëndësishëm për biznesin, pasi kërkon një sensibilitet të një lloji krejt tjetër dhe është për të mbështetur shtresat në nevojë".

Duke qëndruar në këtë linjë ai bëri të qartë se Dhoma merr përsipër të nisë një fushatë sensibilizuese për bizneset anëtare dhe jo të saj që në momente të caktuara kur Caritas të ketë nevojë të jenë afër fizikisht dhe me ndihma konkrete.

Në të vërtetë biznesi shqiptar e ka bërë këtë dhe herë tjetër, por dimensioni i ri i Dhomës në këtë marrëveshje bashkëpunimi i jep një aspekt tjetër human.

Nga ana e tij drejtori i Caritas Albania, Nikolla e vlerësoi si një moment të rëndësishëm këtë për shoqatën që ai drejton pasi sipas tij "e gjithë ndihma e derisotme ka ardhur nga jashtë dhe fakti që për herë të parë biznesi shqiptar merr përsipër këtë hap, është një tregues evropian i mënyrës se si funksionon Dhoma e Tregtisë Tiranë".

Ky memorandum ka si qëllim vendosjen e raporteve të bashkëpunimit dhe organizimit të veprimtarive konkrete në drejtim të realizimit të veprimtarive të përbashkëta me qëllim ardhjen në ndihmë të grupeve të popullsisë në nevojë si dhe kryerjen e veprimtarive humanitare të përbashkëta për rastet e fatkeqësive natyrore apo fatkeqësive të tjera, për grupe të caktuara të popullsisë apo të bizneseve të caktuara të përfshira në këto fatkeqësi.

Qëllimi i tij ka të bëjë me rritjen e interesit të grupeve të biznesit për pjesëmarrje në veprimtaritë humanitare dhe qenia aktive e tyre për çdo rast, në ndihmë të popullsisë në nevoje apo të bizneseve në nevojë, duke qenë kësisoj pjesë e përhershme dhe legjitime, nëpërmjet organeve të përfaqësimit si partner humanitar me Caritasin Shqiptar.

Dhoma e Tiranës ka ndërmarrë nismën e saj për të bashkëpunuar me të gjitha organizatat e biznesit, universitetet apo përfaqësi të ndryshme nga shoqëria civile, për të qenë lobues dhe në një krah lëvizje me qëllim mbrojtjen e interesave të caktuara të atyre çfarë përfaqësojnë këto organizata.

e.r/NOA

KOMENTE