English

Kurajo tek Vila 31: Blloku dhe bllokmenët nuk po na ndahen

Tiranë, 2 Prill NOA - Qendra Mediatike Kurajo ka përkujtuar sot katër të rinjtë shkodranë që u vranë nga diktatura komuniste në 2 Prill 1991 në Kryeqendrën e Veriut. Me këtë rast para ish-vilës së diktatorit Hoxha në Tiranë është zhvilluar një protestë e dhjetëra të rinjve me sloganin, "Bllok kundër bllokmenëve".

Protesta është ilustruar me fotot reale ku tregohen qartë faktet historike, të cilat janë domethënëse edhe për situatën që po jetojmë pas 19 vjetësh.

Të rinjtë e Qendrës Kurajo gjatë fjalës së tyre theksuan se, janë pikërisht po ata njerëz që kryen tragjedinë e djegies dhe vrasjes së të rinjve të paarmatosur në Shkodër në prillin e vitit 1991, të cilët çuditërisht edhe sot flasin në emër të demokracisë.

Drejtuesi i qendrës, Hamza Hatika, u shpreh se historia akuzon dhe vërteton se fajtorët akoma të pandëshkuar të paktën moralisht për tragjedinë e rëndë mbi Shkodrën martire, duhet të jenë koshientë për krimet e kryera nga ata vetë apo nga paraardhësit biologjikë.

Shqipëria, një vit anëtare e NATO-s, me standarde të plotësuara edhe për liberalizimin e vizave, tashmë po pret statusin e vendit kandidat për në BE.

"Me një opozitë që kërkon të ndëshkojë vendin duke përdorur krizën e saj artificiale sikurse edhe gripi derrit, vetëm sa po vërteton dhe po i qëndron besnike kauzës së themeluesve dhe të parëve të tyre se, një Shqipëri demokratike dhe e fortë ekonomikisht nuk i intereson klanit sllav", - tha Hatika.

Sipas tij, distancimi nga e kaluara apo reformimi i së majtës duket se do të mbetet një utopi për shqiptarët, të cilët janë ftuar në muajin e protestave pikërisht nga ata, të cilët e shkatërruan kombin dhe e dorëzuan në vitin 1991, në situatën më të rëndë se asnjë vend tjetër socialist në Evropë.

"I bëjmë thirrje shqiptarëve, përpara se të dalin në protesta të vërtetojnë të kundërtën e këtyre fotove dhe fakteve drithëruese të së kaluarës së brezit trashëgimtar të partisë së Popoviçit e të Mugoshës", - theksoi Hatika.

Duke përfunduar ai vlerësoi se atdheu kërkon reforma demokratike të vonuara pikërisht nga këta pinjollë, të cilët nuk janë veç sindroma të së kaluarës, që nuk duan që ne më së fundi të gëzojmë të gjithë bashkë.

"Një Shqipëri e fortë pa pinjollët e së shkuarës është faktor edhe në rajon dhe në Evropën e mohuar prej sistemit komunist", - tha Hatika

e.r/NOA

KOMENTE