Gjersa për Serbinë perëndimi e lindja bëjnë gara se kush do t'i ofrojë asaj më shumë, Kosovën e mbajnë nën tiraninë e konsensusit të tyre që ka formën e EULEX-it, KFOR-it, UNMIK-ut, PSBE-së, etj.
Nga Albin Kurti
Një gjë nuk mund të mos ndryshojë duke mos ndryshuar. Është e domosdoshme që nganjëherë të ndërrohet diçka në mënyrë që gjithçka të mbetet njësoj. Kalimi i kohës pamundëson që një gjë të jetë saktësisht vetvetja në një tjetër moment. Maskat ndryshken. Koha është e pamëshirshme. Por, zëvendësimi i maskave sadopak i kontribuon demaskimit. Kjo është dobia e vetme e këtij ‘riformatizimi afirmativ'. Gjesti i ndryshimit që synon mosndryshimin (në të tashmen) deponohet te potencialiteti i përmbysjes (në të ardhmen). ‘Forma' është rrënja e fjalës ‘riformatizim'. Paradoksalisht, ndryshimi me riformatizim nuk ishte ndryshim formal. Ishte ndryshim në formë porse jo formal. Duke qenë se vendimet për çështjet thelbësore politike dhe ekonomike u servohen ministrave për t'i miratuar, ajo çfarë bën qeveria edhe ashtu vetëm formë është. Riformatizimi paraqet ndryshim përmbajtësor në formë. Me këtë riformatizim ndërroi jeta e atyre që u bënë ministra dhe mbase e atyre që nuk janë më të tillë. Jeta e dy milionë banorëve të tjerë të Kosovës mbetet po ajo që ishte para riformatizimit. Ky ndërrim nuk do të mund të vërehet pa e ndezur televizorin. Vetëm në ekranin televiziv do të hetohen ca fytyra të reja që i kemi parë edhe më herët dhe nuk do të vërehen ca fytyra të tjera që me mungesën e tyre vështirë se do ta trazojnë ndokënd. Disa do të shihen shumë më rrallë, disa të tjerë më shpesh. Po ndërron ca ajo që do të shohim në ekran, jo ajo që do të vazhdojmë ta jetojmë në realitet. Shumica e qytetarëve edhe ashtu nuk e dinë bash mirë se cili ministër i për çfarë është ministër. Ministri i veçantë nuk ka fytyrë. Fytyra e ministrit është përshtypje e përmbledhur e fytyrave të ndryshme por që janë disi aq të ngjashme. Dhe, kjo fytyrë tani ndryshoi pak, ashtu siç ndryshon fytyra e një njeriu pas operacionit plastik e shoqëruar me arsyetime profesionale. Aq shumë Kryeministri Thaçi po i lavdëronte ministrat e shkarkuar saqë jo vetëm se ministrat e rinj do të mund t'i kishin zili kolegët e tyre të porsashkarkuar, por u krijua opinioni që ata i larguan pikërisht për këtë arsye: ishin tepër të mirë për të qenë në Qeveri. Në fakt, ministrat e trashë për nga buxheti po mbeteshin të paprekur. Të tjerët, të defaktorizuar siç ishin, u përdorën për qëllime më të larta e që sërish janë të ulëta. Baraspesha e ndërrimit të ministrave, tre të PDK-së dhe tre të LDK-së, dhe kooptimi në Qeveri i disa zërave ankues të LDK-së, tregon se ajo që prej disa muajsh quhet riformatizim në fokus ka çështjet e brendshme të koalicionit qeverisës dhe jo qeverisjen më të mirë për Kosovën. Gjithsesi edhe një tjetër dëshmi e radhës që për pushtetarët aktualë pushteti është më i rëndësishëm se shteti. Një pushtet i këtillë, në emër të shtetit të Kosovës, pritet që së shpejti t'i fillojë negociatat më të reja me Serbinë. Ky pushtet do të futet në pazare të reja me Serbinë. Si zakonisht, në këso negociatash Kosova eventualisht fiton formalitet në këmbim të substancës që jep. Dhe, pushtetit i zgjatet jeta, e Kosovës i rrudhet territori. Tash e kanë edhe Lutfi Hazirin në Qeveri, njeriun e specializuar për bisedime me Serbinë, njeriun që karrierën e vet ia ka borxh pikërisht negociatave me Beogradin dhe decentralizimit etnik. Serbia nuk e ka pranuar Planin e Ahtisaarit dhe as pavarësinë e Kosovës. Brukseli, dhe jo vetëm ai, e duan Serbinë sa më shpejtë në BE dhe NATO në mënyrë që t'ia marrin atë Rusisë. Gjersa për Serbinë perëndimi e lindja bëjnë gara se kush do t'i ofrojë asaj më shumë, Kosovën e mbajnë nën tiraninë e konsensusit të tyre që ka formën e EULEX-it, KFOR-it, UNMIK-ut, PSBE-së etj. Prandaj faktorëve ndërkombëtarë, me përjashtim të gjysmës së Pieter Feithit, nuk i bën përshtypje Plani i Ahtisaarit i cili edhe ashtu është i padrejtë dhe aspak i favorshëm për Kosovën. Prandaj faktorët ndërkombëtarë ia dhuruan Serbisë 6 Pikëshin famëkeq të Ban Ki-moonit, protokollin për bashkëpunim policor me EULEX-in dhe insistojnë në tolerimin e strukturave të saj në Kosovë. Shpallja e pavarësisë nuk e bëri Kosovën kurrfarë kopshti me lule. Ngecja në numrin e njohjeve që aktualisht përbën vetëm 1/3 e shteteve të botës, veriu i Kosovës ku më shumë sovranitet ka Serbia sesa që në pjesën tjetër të Kosovës ka Qeveria Thaçi, mungesa e zhvillimit ekonomik dhe lulëzimi i korrupsionit, papunësia enorme dhe varfëria e gjerë që sa vije e thellohet, të gjitha këto dhe shumë të tjera po e fundosin Kosovën. Veç edhe rifillimi i negociatave me Serbinë është mangët. Për të dalë nga ky mjerim, shtetet e fuqishme sado mike të jenë nuk e kanë ndërmend ta ndryshojnë qasjen nga paradigma e stabilitetit (rajonal) dhe e sigurisë (së trupave dhe personelit të tyre) tek paradigma e zhvillimit (ekonomik të Kosovës), demokracisë (pa instanca supreme arbitrare të ndërkombëtarëve) dhe të drejtësisë (për qytetarët e shumëvuajtur e të nëpërkëmbur të Kosovës). Dhe, për më tepër, këta faktorë ndërkombëtarë aq më pak e kanë ndërmend të ballafaqohen me Serbinë për çështjet në të cilat ajo po e mban peng Kosovën. Ata do të kërkojnë nga krerët e pasur të partive e institucioneve të Kosovës që të hyjnë në negociata të reja me Serbinë. Kjo është arsyeja pse këto ditë janë shtuar zërat në Bruksel e Washington mu për këtë. Kur s'ka drejtësi, ka negociata dhe nis pazari, apo jo? Në një këso konteksti, përderisa Serbia nuk pranon marrëveshje, do të ketë negociata. Pse Serbia të pranojë marrëveshje kur e di që Kosova do t'i vijë sërish në negociata të reja për një marrëveshje tjetër me të?! Hashim Thaçi & Co. janë të gatshëm të bëjë kompromise të paimagjinueshme vetëm që të mos ua ngucin pushtetin. Ata s'përtojnë ta zbresin çmendurisht poshtë pazarin e Kosovës vetëm që të mbesin vetë lart. Në emër të asaj që me shpalljen e pavarësisë formale kemi dalur nga Serbia tash do ta fusin Serbinë edhe më shumë brenda Kosovës dhe edhe më shpejt drejt BE-së. Me zgjedhjet e fundit lokale i sajuan komunat e reja në Anamoravë dhe Graçanicë ndërkohë që nuk u integrua veriu. Tani Serbia kalon në hapin e ardhshëm: kërkon koncesione të reja për kompromis të ri. Politikanët kryesorë kosovarë të shantazhuar (sepse të korruptuar) janë, si gjithnjë, në gjendje gatishmërie. Vitin 2006 e shënonin negociatat me Serbinë për statusin e Kosovës por edhe njëlloj riformatizimi i atëhershëm që e solli Agim Çekun si kryeministër në vend të Bajram Kosumit dhe Kolë Berishën si kryeparlamentar në vend të Nexhat Dacit. Edhe atëbotë zgjedhjet thuhej se duhen shtyrë për vitin e ardhshëm. Për ta plotësuar mozaikun e vitit 2006, disa nga analistët e spikatur të faqes 2 të gazetës Express, në muajt në vijim, do të defilojnë sërish me shkrimet e tyre për atë se si nuk është gjë kjo puna e negociatave të reja, se si Kosova mund të përfitojë nëse pranon, se si mund ta turpërojmë Serbinë para botës me gatishmërinë tonë për të biseduar, se si nuk duhet të jemi mosmirënjohës ndaj bashkësisë ndërkombëtare pa të cilën s'do të kishte pavarësi, se si kjo i përshpejton integrimet euroatlantike e pallavra të ngjashme si këto. Fjalët rozë të tyre që relativizojnë gjithçka synojnë t'i bëjnë roje relaksimit dhe demobilizimit të qytetarëve. Sepse, popullin mund ta lëshojë një ditë optimizmi e mandej kushedi se çka bëhet, apo jo? Mirësevini pra në vitin 2006!