English

NATO, bilanci i përvjetorit të parë

Në përvjetorin e parë të hyrjes në NATO vlen të thuhen disa fjalë, duke e nisur nga më e para fjalë që duhet thënë për NATO-n, si një aleancë parimesh dhe vlerash, një forcë ushtarake në mbrojtje të botës së lirë nga kërcënimet e së keqes

Nga Edi Rama

Kryetar i PS

Sot, ky përvjetor i parë i hyrjes në këtë aleancë të madhe, të popujve të lirë për të mbrojtur lirinë dhe demokracinë, e gjen Shqipërinë në protestën e popullit opozitar, pikërisht sepse liria, demokracia, drejtësia dhe ekonomia, janë nën një kërcënim të përditshëm.

Ky është bilanci i përvjetorit të parë të hyrjes në NATO, një bilanc që lidhet me një zhvillim jashtëzakonisht dramatik dhe shqetësues për të sotmen dhe për të nesërmen e vendit, që i ka rrënjët te deformimi i vullnetit të popullit në zgjedhje dhe pastaj shtrihet në një proces degradimi të qeverisjes, e cila nuk u garanton njerëzve rrugët e zhvillimit dhe të mirëqenies, e cila është shprehje kuptimplotë, në përditshmërinë e jetës së njerëzve, e faktit të thjeshtë se pasi u grabitën votat, po u grabitet përditë hapësira e lirive politike, shoqërore dhe ekonomike në këtë vend.

Sot i ndalohet shqiptarëve e drejta themelore e transparencës dhe ndërkohë shqiptarëve u vijnë përditë fatura vendimmarrjesh tërësisht jo transparente, që burojnë nga papërgjegjshmëria e një pushteti i cili rëndon përditë e më shumë peshën e keqqeverisjes mbi qytetarët.

Jemi në një proces degradimi demokratik dhe ekonomik dhe ky përvjetor i parë i hyrjes në aleancën e parimeve dhe vlerave të demokracisë, na gjen në mungesë të garancive më elementare për qytetarin, për sipërmarrësin, për organizatat shoqërore, apo edhe ato politike.

Dua ta theksoj, se fakti që përvjetorit i parë i hyrjes në NATO, e gjen opozitën të angazhuar në organizimin e protestave në gjithë vendin, me synimin për të realizuar një protestë që do kulmoj në Tiranë, më 30 prill. Është i mjaftueshëm për të treguar se çfarë ka ndodhur në 1 vit Shqipëri në NATO, në kundërshtim me aspiratat e shqiptarëve, në kundërshtim me interesat e vendit, në kundërshtim me të gjitha parimet dhe garancitë e kësaj familje popujsh të lirë, të organizuar në një aleancë ushtarake për të mbrojtur liritë e tyre.

KOMENTE