English

Një vit në NATO, Topi: Jemi me popujt e qytetëruar

Tiranë, 2 prill, NOA - Presidenti Bamir Topi e ka cilësuar si arritje historike hyrjen e vendit në NATO, por edhe përgjegjësi. Në urimin që ka bërë për 1-vjetorin e hyrjes së Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut Verior, Topi ka theksuar se vendi tani renditet mes popujve të qytetëruar.

"Ne do të mbetemi të vendosur në angazhimet tona dhe në përgjegjësitë tona dhe se anëtarësimi në NATO na bën më të përgjegjshëm ndaj sfidave tona të brendshme dhe të jashtme, por edhe më të sigurt se nuk jemi vetëm në përballjen e tyre. Ne jemi së bashku me vendet dhe popujt e lirë të botës së qytetëruar", ka deklaruar Presidenti Topi.

Ai u shpreh se vendi feston njëvjetorin e kësaj ngjarje duke shprehur mirënjohjen për të gjitha vendet anëtare të Aleancës, që besuan në angazhimin e Shqipërisë.

Duke u ndalur në rëndësinë që ka pjesëmarrja në NATO, Topi theksoi se "Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të gjitha vendet e tjera, mike dhe aleate diskutojmë me ne sot çështje të rëndësishme të karakterit global dhe ndajnë me ne përgjegjësi të karakterit rajonal".

Ai ka vlerësuar dhe kontributin e forcave ushtarake shqiptare në Afganistan dhe në vendet e tjera ku ka kriza globale.

m.xh/NOA

KOMENTE