English

Njëvjetori i hyrjes në NATO, për herë të parë muzikë klasike në shesh

Koncert i Madh Artistik në 1-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO

Më shumë foto, te Galeria

Tiranë, 3 Prill NOA - Nën kujdesin e drejtpërdrejtë të Kryeministrit të Shqipërisë Sali Berisha, Ministria e Mbrojtjes organizoi këtë mbrëmje, një Koncert të Madh Festiv me rastin 1-vjetorit të e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.

Në këtë aktivitet të rëndësishëm ishin të pranishëm: Presidenti i Republikës Bamir Topi, kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, Kryeministri Sali Berisha, ministri i Mbrojtjes z. Arben Imami, ministra të tjerë të kabinetit qeveritar, deputetë, gjeneralë, ambasadorë dhe përfaqësues të trupit diplomatik në Tiranë, ushtarakë të Forcave të Armatosura, si dhe mjaft të ftuar të tjerë nga bota akademike dhe artistike, e biznesit dhe shoqëria civile e kryeqytetit.

Ky koncert ishte i veçantë, si nga përmasat ashtu edhe nga tematika dhe niveli i lartë artistik.

Për herë të parë në një skenë të madhe dhe të hapur të ngritur në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", në sheshin para Pallatit të Kongreseve u ngrit dhe interpretoi një formacion i madh orkestral me mbi 100 instrumentistë nga më të shquarit në vendin tonë nga Orkestra Frymore e FA, TOB dhe RTVSH, si dhe e gjithë trupa e Korit të Teatrit të Operës dhe Baletit.

Të pranishmit ndoqën dhe duartrokitën mjaft pjesë nga muzika klasike botërore dhe nga vendi, uvertura, pjesë orkestrale, këngë dhe marshe, të cilat u interpretuan me shumë profesionalizëm dhe nivel artistik nga solistë të mirënjohur të vendit si Ylber Gjini, Eva Golemi, Armaldo Kllogjeri, nga instrumentistë të shquar si Isak Shehu, Sokol Saraçi, Reinald Foçi, Ahmet Çaushi, Orieta Nishani, Xhemal Murraj, Bashkim Barbullushietj, nën drejtimin e dirigjentëve Halim Teqja, Altin Babameto dhe Oleg Arapi etj

Bordi artistik i realizimit të këtij koncerti drejtohej nga dirigjenti i mirënjohur Zhani Ciko, ndërsa në përbërje të tij ishin Isak Shehu, Spartak Tili, Zerina Kuke, Halim Teqja, Altin Babameto. Regjizor i koncertit ishte Pali Kuke, ndërsa skenograf Ardian Isufi dhe Endrit Selmani.

e.r/NOA

KOMENTE