Durrës, 2 prill NOA - Një fëmijë ka gjetur vdekjen vetëm pak minuta më parë në një aksident të rëndë që ndodhi pranë Mbikalimit të Sukthit. Korrespondenti i agjencisë NOA informon nga vendngjarja, se aksidenti ndodhi rreth orës 16.00, kur një automjet me targa DR 5886 E, "Alfa Romeo" në ngjyrë të kuqe, po kalonte në rrugën pranë mbikalimit me shkallë i cili gjendej vetëm dhjetë metra më tutje.
Në këto momente, një djalë i vogël me çantë shkolle në duar, ka kaluar bordurën e rrugës por lëvizja ka qenë fatale, sepse sikundër treguan për NOA dëshmitarë në vendngjarje, makina e përfshiu në aksident duke e hedhur në ajër dhe përplasur në anë të rrugës rreth 30 metra më tutje.
Ngjarja i ka shkaktuar vdekje të menjëhershme fëmijës që besohet të jetë rreth 13 vjeçar, nxënës shkolle që po kthehej për në shtëpi.
Në vendngjarje, shoferi i makinës tip autoveturë, një oficer i Marinës Detare Durrës rreth 40 vjeçar, ka ndaluar duke pritur që të mbërrijnë forcat policore për procedurat e rastit.
Momentalisht në vendngjarje, paraqitet një situatë shokuese për shkak të skenës së rëndë të aksidentit fatal me vdekjen e fëmijës, ndërkohë që në gjendje shoku është edhe drejtuesi i automjetit, raporton korrespondenti i agjencisë NPA.
e.r/NOA