Tiranë, 2 prill, NOA - Plot 285 kilogramë marijuanë, 4 persona të arrestuar, dy makina të sekuestruara dhe një sasi e konsiderueshme parash ka qenë bilanci i operacionit të koduar të policisë së Gjirokastrës "Gjuetia e natës".
Ai ka mundur të sekuestrojë një sasi të madhe lënde narkotike në kodrën që lidh lagjen Zinxhira të qytetit Gjirokastër me fshatin Lazarat, e cila po transportohej nga disa persona me destinacion qytetin e Fierit.
Konkretisht, marijuana është ngarkuar në një automjet tip Fiat kamionçinë, e mbuluar dhe ka filluar lëvizjen nga Lazarati.
Por rreth 00.30, të mëngjesit të sotëm, në vendin e quajtur Ura e Memaliajit, forcat e policisë kanë ndërhyrë duke bërë të mundur bllokimin e rrugës në të dyja drejtimet dhe duke arrestuar në flagrancë Andi Kurtin, drejtues i automjetit Benz me traga EJ 55 USV i cili ishte pararoja; Selami Lushkajn, pasagjer në këtë makinë, shoqërues i lëndës narkotike; Eglivan Atija, drejtues i kamjoçinës me targa EL 99 49 B, ku ishte ngarkuar lënda narkotike dhe Eduart Lushkaj, pasagjer në automjetin tip Fiat, shoqërues i lëndës narkotike; që të katërt lindur dhe banues në qytetin e Fierit.
Nga këqyrja e automejtit tip Fiat rezultoi se brenda tij gjendeshin 17 thasë plasmasi me ngjyrë të zezë të mbushur me lëndë narkotike e dyshuar si marijuanë, ku pesha e secilit thes varionte nga 15 deri në 17 kilogramë, gjithsej rreth 285 kilogramë.
Ndërsa në makinën Benz janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sasi e madhe lekësh dhe valute dollarë, si dhe 7 aparate celularë me kartat SIM.
Burimet policore bëjnë me dijeni ndër të rjera se organizatori dhe blerësi i lëndës narkotike të lartpërmendur ishte Andi Kurti.
n.e/NOA