Manastir, 2 prill, NOA - Me rastin e shënimit të 1000vjetorit të Kongresit të dytë të Manastirit, në mjediset e Muzeut të Kongresit të Alfabetit, u mbajt një akademi solemne, me një pjesë shkencore, ku u paraqitën 5 referate kushtuar kësaj date historike, nga studiues nga fusha e historisë, prof.dr. Shukri Rrahimi, Nebi Dervishi, Naim Halimi, Ilmi Veliu dhe Skënder Hasani.
Fjalë rasti në këtë solemnitet mbajti zv/kryeministri Abdylaqim Ademi, i cili mes tjerash theksoi se "Manastiri për 100 vjet ishte në shënjestër për të zbehur dhe zhdukur vlerat e kulturës shqiptare. Por ky qytet i konsujve dhe i Kongresit të Alfabetit, arriti ta ruajë këtë vlerë".
Të pranishëm në këtë solemnitet, me rastin e shënimit të 100 Vjetorit të Kongresit të Dytë të Manastirit përveç zv/kryeministrit Abdulaqim Ademi, ishin edhe ambasadori i Republikës së Kosovës dhe sekretari i parë i Ambasadës së Republikës së Shqipërisë, deputetët Rafiz Haliti e Tahir Hani, kryetar komunash e personalitete të tjera të jetës shoqërore, shkencore e politike si dhe përfaqësues të komunitetit të bektashinjve në Maqedoni me në krye Baba Edmondin.Me rastin e shënimit të kësaj date të rëndësishme të historisë shqiptare, u ndanë edhe pllakatat mirënjohëse për kontributin e tyre në hulumtimet dhe studimet e kësaj ngjarje historike.
Këshilli organizativ këtë mirënjohje i ndau historianit prof.dr.Shukri Rrahimit, Institutit për trashëgimi kulturore të shqiptarëve, USHT-së, prof.dr. Reshat Nexhipit nga Manastiri, gazetarit Qenan Hasani nga Manastiri, Muzeut të Alfabetit në Manastir dhe post mortum prof. dr. Ali Vishkos.
Këtë mirënjohje, në emër të të ndjerit prof. dr. Ali Vishko, iu dorëzua Baba Edmondit.
Në pjesën artistike, poezi deklamoi vogëlushi Dreni Dervishi, ndërsa pianistja Meri Kavkaleva-Stoilkova, ekzekutoi "Nokturno-marsh i përmortshëm" dhe "Valcerin e paharruar" të Frederik Shopenit.
Kongresin e Dytë të Manastirit i thirrur me nismën e klubit "Bashkimi" të Manastirit dhe i zhvilloi punimet nga 2-3 prill të vitit 1910.
Në Kongres morën pjesë 20 delegatë, që përfaqësonin 34 klube e shoqëri të vilajeteve të Shkodrës, të Kosovës, të Manastirit e të Janinës, si edhe klubet shqiptare të Stambollit, të Selanikut e të qendrave të tjera.
Ndryshe nga kongreset e mëparshme kombëtare, në këtë kuvend pati një numër mjaft të madh delegatësh nga qytetet e vilajeteve të Kosovës dhe të Manastirit, nga Peja, Gjakova, Gjilani, Mitrovica, Vuçiterna, Shkupi, Tetova, Dibra, Struga, Ohri etj.
Midis delegatëve ishin Dervish Hima, Fehim Zavalani, Petro Nini Luarasi, Hysni Curri, Ferit Ypi, Bedri Pejani, Qamil Shkupi, Gjergj Qiriazi, Bejtullah Gjilani, Themistokli Germenji, Tefik Panariti, Hajdar Blloshmi, Abdullah Efendiu (nga Struga), Qazim Iliaz Dibra, Rexhep Mitrovica, Xhafer Kolonja etj.
Kryetar i Kongresit u zgjodh Bedri Pejani, ndërsa sekretarë Ferit Ypi dhe Petro Nini Luarasi. Kongresi i Dytë i Manastirit, ashtu si mitingjet, protestat dhe manifestimet e tjera që u zhvilluan në Shqipëri në pragun e këtij kuvendi, në shkurt-mars të vitit 1910, shprehën vendosmërinë e shqiptarëve për mbrojtjen e shkrimit shqip, të shkollës dhe të kulturës kombëtare në tërësi.
"Ato ishin, njëherazi, një paralajmërim për kryengritjen e armatosur që do të shpërthente në pranverën e vitit 1910", - u tha ndër të tjera në referatet e paraqitura nga studiuesit e historianët shqiptarë.
NOA-INA