Vendimi i datës 16 nëntor në raport me procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian është, pothuajse, siamez me vendimin e 2 prillit të vitit 2008, me ftesën për t'u bërë anëtar të NATO-s
Nga Sali Berisha
Kryeministër
Është nder i madh dhe kënaqësi shumë e veçantë për mua që t'ju përshëndes ju këtu; të përshëndes efektivat e Forcave të Armatosura në mbarë vendin; tu dërgojmë së bashku një përshëndetje të zjarrtë ushtarakëve tanë në misionet paqeruajtëse në Afganistan, në Çad dhe në të gjitha zonat ku ata ndodhen; të përshëndesim të gjithë qytetarët shqiptarë në këtë ditë, e cila shënon ngjarjen më të madhe për Shqipërinë pas shpalljes së pavarësisë së vendit dhe ngjarjen më të madhe për kombin në fushën e sigurisë që nga kohërat e Skënderbeut e deri në ditët e sotme; të shprehim mirënjohjen më të thellë ndaj gjithsecilit që kontribuoi dhe bëri të mundur që Aleanca e Atlantikut të Veriut të vendosë një vit më parë për anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në gjirin e saj.
Aleanca e Atlantikut të Veriut është aleanca politike-ushtarake më e madhe e lirisë dhe më e suksesshmja e të gjitha kohërave. Në këtë kontekst, anëtarësimi në Aleancën e Atlantikut të Veriut përbën një ngjarje të madhe për çdo komb dhe për të gjithë popujt që besojnë se siguria kolektive është mburoja më e sigurt, është garancia më e madhe për lirinë e tyre, por për shqiptarët dhe për kombin shqiptar, i cili ka një histori shekullore përpjekjesh mbinjerëzore për mbijetesë dhe njohu në historinë e tij drama shumë të mëdha, barbari, copëtime, padrejtësi nga më të mëdhatë, vuajti më shumë se të tjerët për sigurinë e tij, anëtarësimi në Aleancën e Atlantikut të Veriut është padyshim dhe ngjarja më e madhe pas pavarësisë së vendit.
Anëtarësimi në Aleancën e Atlantikut të Veriut për shqiptarët do të thotë një epokë e re e kalimit nga mbijetesa në ndërtimin e një të ardhmeje të sigurt që meritojnë; në ndërtimin e një të ardhmeje mbi vlerat e lirisë dhe në ndërtimin e një të ardhmeje mbi një partneritet dhe aleancë të ngushtë me kombet më të zhvilluara të botës.
Ndaj dhe unë sot dua tu shpreh mirënjohje të thellë të gjithë qeverive, kryetarëve të shteteve, kryeministrave dhe udhëheqësve ushtarakë të vendeve anëtare, të cilët mbështetën aq shumë vendin tonë në përpjekjen e tij të madhe, me reforma të gjithanshme, për të merituar një vit më parë anëtarësimin e plotë në Aleancën e Atlantikut të Veriut.
Mirënjohje të thellë dua ti shpreh ish Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Xhorxh W. Bush, i cili në vizitën e tij historike në Tiranë do të garantonte shqiptarët për mbështetjen e tij dhe të vendit të tij të madh për anëtarësimin e Shqipërisë. Mirënjohje të thellë dua ti shpreh Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës z. Barack Obama që do të mirëpriste dhe mbështeste anëtarësimin e vendit tonë, një vit më parë, në Samtin Strasburg- Kehl, në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Në fjalën e tij ai do të shprehte vlerësimin më të madh për përpjekjet e shqiptarëve për të ndërtuar një shoqëri të lirë, një shoqëri të bazuar në vlera dhe parime, mbi të cilat janë ndërtuar shoqëritë e vendeve anëtare të NATO-s, si dhe për të ndërtuar një ushtri të aftë dhe të denjë për të përmbushur me dinjitet dhe kompetencë misionin e saj.
***
Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO ishte një inkurajim i jashtëzakonshëm për institucionet e këtij vendi dhe për shoqërinë e tij, për të ndërmarrë reforma të gjithanshme dhe transformuese, por dua të theksoj se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO u bë në vetvete një nxitje shumë e madhe.
Në rast i kthejmë sytë dhe analizojmë, në vitin e parë si aleatë të NATO-s ne mund të numërojmë me krenari arritje të shumta, më të shumta se në histori tjetër. Në vitin e parë të anëtarësimit në NATO Shqipëria zhvilloi zgjedhjet më të mira në historinë e saj. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë kusht themelor i funksionimit të lirisë dhe institucioneve të një vendi demokratik. Në vitin e parë të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, ne merituam të votëbesoheshim nga qeveritë e 27-të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian për statusin e vendit kandidatit për në BE. Vendimi i datës 16 nëntor në raport me procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian është, pothuajse, siamez me vendimin e 2 prillit të vitit 2008, me ftesën për t'u bërë anëtar të NATO-s.
Më 16 nëntor ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian, në emër të qeverive të tyre, vendosën për Shqipërinë si një vend i përshtatshëm për të ecur në rrugën e anëtarësimit të plotë. Mbi këtë vendim u bë dhe dorëzimi i pyetësorit prej 2284 pyetjesh, në të cilat ju keni dhënë kontributin tuaj me përgjigjet ndaj tyre. Në të gjitha institucionet e vendit, mbi këtë bazë dhe mbi këtë vendim, një nxitje të madhe mori edhe procesi i liberalizimit të vizave. Shqipëria u angazhua dhe është e angazhuar në reforma të gjithanshme. Autoritetet e këtij vendi do të punojnë për anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian me të njëjtin seriozitet dhe vendosmëri që punuan për anëtarësimin e saj në NATO.
Natyrisht, ky është një proces kompleks. Ky është një proces që kalon në reforma të thella ekonomike, sociale dhe të gjithanshme, por secila nga këto reforma, pa përjashtim, zgjeron dhe konsolidon më tej liritë e qytetarëve shqiptarë. Secila nga këto reforma është në interesin më mirë të qytetarëve shqiptarë, fëmijëve të tyre dhe fëmijëve të fëmijëve të tyre. Ndaj, ne e marrim këtë proces siç morëm dhe procesin e anëtarësimit në NATO, si një proces që duhet të bazohet kryekëput mbi meritën dhe performancën e Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Ne angazhohemi njësoj siç u angazhuam në procesin e anëtarësimit në NATO, të marrim çdo vendim, të ndërmarrim çdo reformë, të miratojmë çdo ligj, të vendosim çdo praktikë që do të bëj të mundur që standardet e vendeve të zhvilluara të Bashkimit Evropian të gëzohen edhe nga qytetarët shqiptarë.
Zonja dhe zotërinj,
Në një vit Forcat e Armatosura të Shqipërisë kanë njohur zhvillime të reja, kanë thelluar reformat në të gjitha fushat dhe po shkohet drejt kompletimit, shndërrimit të tyre përfundimtar në ushtri profesioniste. Ju keni përmbushur me dinjitetin më të madh, me përgjegjësi të plotë, me kompetencë të madhe të gjitha misionet e shpëtim - kërkimit. Ju ndihmuat gjatë këtij dimri, për të cilin thuhet se ishte më i ashpri dhe ishte vërtet ndër më të ashprit, në zonat e përmbytura. Puna që ju bëtë në ato zona ishte një dëshmi e shkëlqyer e aftësive, e disiplinës, e përgjegjësisë, e orientimit tuaj si një ushtri e denjë e një vendi të lirë, si një ushtri aleate e denjë e ushtrive të NATO-s.
Unë jam sot këtu për t'ju garantuar se qeveria do të mbështesë me të gjitha burimet e nevojshme reformën tuaj, modernizimin tuaj. Kam besimin më të madh se këtë mbështetje ju do ta shndërroni në një aftësim gjithnjë e më të madh, në një përkushtim gjithnjë e më të madh të efektivave tuaja për tu përballur me sukses në të gjitha detyrat paqeruajtëse apo në detyra të tjera të NATO-s dhe në të gjitha detyrat kushtetuese të vendit.
Në një vit ne kemi rritur pjesëmarrjen tonë si në rrafshin sasior, por edhe në veprime në Afganistan. Ne qëndrojmë të vendosur tu përgjigjemi kërkesave të Aleancës kudo që të jetë nevoja. Të gjithë vendet anëtare dhe ushtritë e vendeve anëtare i përgjigjen në tërësi kërkesave të Aleancës, por ne kemi një motiv dy herë më të madh, sepse ne rastis që të jemi të fundit në Evropë që të bëhemi të lirë. Ne u bëmë të lirë vetëm e vetëm në sajë të ndërhyrjes së Aleancës së Atlantikut të Veriut, 11 vjet më parë, në çlirimin e shqiptarëve të Kosovës nga regjimi më barbar që Evropa kishte parë që nga Lufta e II Botërore e deri më sot. Ndaj është një rast fatlum për ne të mund të shprehim mirënjohjen tonë me pjesëmarrje gjithnjë e më aktive në të gjitha përpjekjet e NATO-s për garantimin e paqes, stabilitetit, lirisë kudo që të nevojitet.
Aleanca është në prag të një reforme dhe unë jam i bindur se kjo Aleancë do të kompletojë me sukses reformën. Pas rënies së perdes së hekurt në vitin '90 ishin jo të paktë ata që u gabuan duke menduar se Aleanca ishte thjesht një kundërshti blloku. Aleanca ishte një garanci lirie, ndaj dhe arriti të përshtatet pa vështirësi në rënien e perdes së hekurt. Ajo anëtarësoi një nga një në gjirin e saj vendet ish komuniste. Ajo u themelua nga Presidenti Truman në idenë e rritjes së sigurisë, duke shndërruar armiqtë e djeshëm në aleatë të sotëm. Faktikisht këtë parim të madh Aleanca e aplikon me një numër të madh të vendeve ish komuniste dhe sot në rajon, Sllovenia, Kroacia dhe Shqipëria janë vende anëtare, Maqedonia është pothuajse vend anëtar, vende të tjera kanë një perspektivë të qartë anëtarësimi.
(*) Fjala e mbajtur sot në konferencën jubilare me rastin e 1 vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO