Tiranë, 2 prill, NOA - Sot mbushet një vit nga dita e anëtarësimit të Shqipërisë me të drejta të plota në Aleancën e Atlantikut të Veriut dhe në kuadrin e kësaj dite do të zhvillohen shumë aktivitete, ku ministria e Mbrojtjes është organizatorja e tyre.
Kështu, sipas axhendës së parashikuar, në orën 10:00, në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes në Akademinë Ushtarake "Skënderbej", do ketë një konferencë jubilare ku do jetë i pranishëm kryeministri Berisha, zv/kryeministri Meta, ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, shefi i Shtabit të Përgjithshëm Malaj etj.
Po sot, në orën 19:00, në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", para Pallatit të Kongreseve do të jepet një koncert i madh festiv nga Orkestra Frymore e Bashkuar me 100 instrumentistë, nga Orkestra Frymore FA, TOB, RTVSH dhe Akademia e Arteve.
Ndërkaq, për shkak të festimeve të ditës së sotme, policia ka marrë edhe masat e saj për ruajtjen e rendit dhe të sigurisë. Sipas një njoftimi të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, do të ketë bllokime të qarkullimit rrugor sot, duke filluar nga ora 15.00 deri më 24.00, përgjatë Bulevardit "Dëshmorët e Kombit" nga Ura e Lanës pranë hotel "Dajtit" dhe deri në sheshin "Nënë Tereza".
n.e/NOA