English

Thaçi mbledh kabinetin e ri qeverisës

Prishtinë, 2 prill, NOA - Përgjegjësia për qeverisje, përbën një obligim dhe jo privilegj. Me të tilla fjalë u është drejtuar ministrave të kabinetit të ri qeverisës, kryeministri Hashim Thaçi, duke u shprehur mirëseardhjen anëtarëve të rinj të tij, sikundër u ka uruar atyre edhe detyrat e reja.

Me këtë rast, Thaçi ka shprehur edhe falënderimin e tij për punën e ministrave të deritanishëm dhe ka theksuar vendosmërinë për të vazhduar me angazhimet e reja për realizimin e objektivave programore të qeverisë.

"Thellimi i reformave të vazhdueshme, zhvillimi ekonomik, përmirësimi i politikave fiskale, thithja e investimeve të jashtme, stimulimi i prodhimtarisë vendore dhe angazhimet në procesin e integrimeve në strukturat euroatlantike, do të vazhdojnë të jenë prioritet e kabinetit qeveritar", - ka thënë kryeministri Hashim Thaçi.

Në mbledhjen e parë të qeverisë së re, është miratuar më pas edhe vendimi për themelimin e Ministrisë për Integrim Evropian, e cila do të jetë përgjegjëse për bashkërendimin e procesit të integrimit të Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian.

n.e/NOA

KOMENTE