English

Vasili mjekëve të shkollave: Zgjohuni nga gjumi ose ikni

Tiranë, 2 prill, NOA - "Zgjohuni nga gjumi nëse doni të punoni", ky ka qenë mesazhi që u dha sot mjekëve të shkollave, ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili gjatë një takimi zhvilluar me ta.

Ministri ka qenë tepër i qartë me mjekët duke shprehur hapur pakënaqësinë prej punës së tyre të deritanishme. Vasili ka deklaruar se reforma në shëndetësi do të përfshijë dhe ata duke bërë që të kontrollohen rreptë në aktivitetin e tyre shumë të rëndësishëm me rininë shkollore.

"Shërbimi shëndetësor në shkolla nuk është i njëjtë në të gjithë vendin. Disa zona rurale nuk kanë mjekë shkollash, jo të gjithë mjekët e shkollave janë të njohur me rregulloren e këtij shërbimi. Mënyra e dërgimit dhe mbledhjes së informacionit nuk funksionon siç duhet, një pjesë e nxënësve nuk e dinë që kanë një mjek shkolle. Ndaj shërbimi shëndetësor në shkolla ka nevojë për riorganizim dhe reformë dhe ju duhet të zgjidhni nëse doni të bëheni pjesë e këtij ndryshimi ose të ikni nga ky pozicion", tha ministri Vasili.

Në bazë të urdhrit të ministrit të shëndetësisë është ngritur një grup pune ndërinstitucional, i cili me mbështetjen e OBSH do të rishikojë rregulloren ekzistuese për riorganizimin e këtij shërbimi.

Gjithashtu ky grup do të përcaktojë paketën bazë të këtij shërbimi dhe çështjet kryesore që do të trajnohen në shkolla, duke bashkëpunuar ngushtë jo vetëm me nxënësit, por dhe me prindërit, mësuesit, psikologun dhe komunitetin për përcjelljen e mesazheve promocionale unike, nëpërmjet aktiviteteve apo formave të tjera.

Nga ana e saj ministria e Shëndetësisë do vendosë kritere dhe do rishohë detyrat e mjekut e infermierit të shkollave, për ngritjen e kapaciteteve që do të ofrojnë këtë shërbim si dhe do të bëjnë hartëzimin e këtyre burimeve njerëzore në të gjithë vendin.

Do vendosë standarde në këtë shërbim si dhe do të forcojë sistemin e marrjes dhe dërgimit të informacionit nga mjeku, në DSHP dhe më lart.

Deri më tani ky grup pune sapo ka mbaruar së përcaktuari të 12 çështjet bazë të edukimit shëndetësor të cilat janë përcaktuar të rëndësishëm për t'ju përcjellë fëmijëve në të gjithë Evropën.

b.a/NOA

KOMENTE