English

"Epoka" merr "Certifikatën Ndërkombëtare për Menaxhimin e Cilësisë"

Tiranë, 3 Prill NOA - Duke pasur parasysh se Procesi i Bolonjës në vetvete dhe inkuadrimi i Shqipërisë në të, është një ndër sfidat më të mëdha më të cilat po përballet sistemi arsimor universitar në rajon, "Universiteti Epoka" si dhe ekspertët e ardhur nga "Universiteti i Sakarya-s" në Turqi, një ndër universitet model për sa i përket implementimit të standardeve të Bolonjës, organizuan Konferencën e Parë Ndërkombëtare me temë "Cilësia dhe Akreditimi në Arsimin e Lartë".

Gjatë punimeve të Konferencës, Rektorit i Universitetit Epoka, Prof. Dr. Hasan Kaplan u shpalosi të pranishmëve "Certifikatën Ndërkombëtare për Menaxhimin e Cilësisë ISO 9001" të lëshuar nga "Forumi Ndërkombëtar i Akreditimit".

Prof. Kaplan shprehu kënaqësinë që është "Universiteti Epoka" që pajiset i pari në vendin tonë me këtë certifikatë. Paskëtaj, ai vlerësoi bashkëpunimin e "Universitetit Epoka" me Këshillin e Akreditimit dhe Universitetet publike në vend.

"Tashmë të gjitha përpjekjet duhet të drejtohen drejt cilësisë. Kjo është strategjia jonë. Kemi mes nesh Kryetarin e Këshillit të Akreditimit dhe Rektorë të Universiteteve Publike. I falenderoj për mbështetjen dhe u siguroj bashkëpunim të mëtejshëm", deklaroi Kaplan në fjalën e tij.

Në Konferencë, e mori fjalën edhe Kryetari i Këshillit të Akreditimit dhe Këshilltari i Jashtëm i Kryeministrit për Arsimin Prof. Dr. Bardhyl Musaj.

Ai vlerësoi kontributin e "Universitetit Epoka" dhe Arsimit të Lartë privat në rritjen e standardeve të cilësisë. "Katërvjeçari i kaluar ishte i rëndësishëm për çeljen e dyerve të Universiteteve tona dhe pranimin e sa më shumë studentëve, ndërsa ky katër vjeçar duhet të synojë rritjen e cilësisë në Arsimin e Lartë", u shpreh Musaj.

Në Konferencë përcollën mendimet e tyre edhe Rektori i Universitetit Politeknik, Prof. Dr. Jorgaq Kaçani; si dhe Rektori i Universitetit "Aleksandër Moisiu" Prof. Dr. Agim Kukeli.

e.r/NOA

KOMENTE