Prishtinë, 3 Prill - Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se ndërrimet e fundit në Qeverinë e Kosovës janë bërë me qëllim të mbijetesës së kësaj qeverie dhe jo për të përmirësuar gjendjen e qytetarit. "Këto ndërrime e vërtetojnë një lidhje të fortë mes lidershipit të PDK-së dhe LDK-së për një agjendë që veç i ka sjellë vendit shumë humbje. Njëkohësisht zhvillimi i fundit blen kohë për Qeverinë Thaçi dhe i vjedh kohën Kosovës qytetarëve të vendit dhe agjendave të Kosovës", ka thënë lideri i AAK-së.
Duke folur rreth ministrave të rinj në Qeverinë Thaçi, Haradinaj ka thënë se kryeministri po blen njerëzit që kanë qenë kundërshtarë të tij deri para pak ditësh, duke aluduar për figurat e LDK-së Lutfi Haziri dhe Bujar Bukoshi. I pari i AAK-së ka theksuar se për gjendjen në vend fajtorë kryesorë janë kryeministri Thaçi dhe presidenti Sejdiu, andaj shkarkimet nga detyra është dashur të fillojnë nga vetë kreu i Qeverisë. Ndërsa, nënkryetari i parë i AAK-së, Blerim Shala, ka thënë se nuk ka logjikë që ministri i suksesshëm të shkarkohet. (KosovaPress)