English

Itali, arrestohen 12 trafikantë droge, mes tyre dhe shqiptarë

Bolonja, 3 prill, NOA - Policia e Bolonjës gjatë një operacioni antidrogë ka arrestuar 12 vetë të akuzuar si shpërndarës droge, midis të cilëve shumica ishin shqiptarë, njofton për agjencinë NOA korrespodenti i NOA-s në Itali.

Operacioni, i quajtur "White Mountain 2009", filloi gushtin e kaluar dhe është koordinuar nga prokurorët e Prokurorisë së Bolonjës Lorenzo Gestri e Valter Giovannini.

Si rezultat janë bërë 12 arrestime dhe janë kapur 8 kilogramë kokainë. Duke iu referuar burimeve zyrtare të policisë korrespondenti i NOA-s në Itali bën të ditur se shqiptarët e ndaluar janë: Roland Turku, 26 vjeç dhe vëllai i tij, Genti Gorica, 43 vjeç me dokumente të rregulla qëndrimi në Itali, si dhe Ervin Leka 23 vjeç, me profesion elektricist, në apartamentin e të cilit u gjetën 6 kg kokainë dhe 45 mijë euro.

Kreu i bandës dyshohet se është Roland Turku, i cili në tentativë për ti shpëtuar arrestimit ka dëmtuar një oficer policie.

Dy arrestimet e para të operacionit "White Mountain 2009", janë kryer nëntorin e kaluar në Portin e Gjenovës ku përfunduan në pranga një italian dhe një shqiptar që sapo kishin zbritur nga një anije që vinte nga Barcelona. 5 kg drogë e fshehur në timonin e makinës kishte destinacion "Piazza di Bologna"

Në dhjetor, përfunduan në pranga në "Via Bordon" të Bolonjës dy shqiptarë, duke përfshirë edhe një të mitur, si dhe u sekuestruan 1,6 kilogram kokainë.

a.k/NOA

KOMENTE