Beograd, 3 Prill NOA - Parlamenti serb kaloi një rezolutë, duke dënuar masakrën ndaj 8 mijë burrave dhe djemve myslimanë të Bosnjës, në Srebrenicë, në vitin 1995. Megjithatë, reagimet ndaj rezolutës kanë qenë shokuese, të ashpra dhe cinike. Dhe, jo vetëm boshnjakët janë ankuar që rezoluta ishte e pavlerë, pasi fliste vetëm për "krim" dhe "tragjedi" dhe jo për gjenocid.
Disa të tjerë thonë se Qeveria serbe ndërmjetësoi për këtë rezolutë, thjesht si favor ndaj Bashkimit Evropian, me dëshirën për t'u anëtarësuar. Megjithatë, përgjigje të tilla dështojnë kur llogaritet ndarja e thellë në Parlamentin serb dhe e publikut, mes mbështetësve të rezolutës dhe të atyre që mohojnë çdo përgjegjësi për masakrën. Në të vërtetë, në Serbi, ashtu si gjithkund tjetër, politika është arti i mundësisë dhe ajo rezolutë u propozua para së gjithash si një arritje. Masakra e Srebrenicës ishte krimi më i keq jo vetëm gjatë luftës në Bosnjë, por edhe për Evropën, që nga viti 1945. Ishte gjithashtu edhe akti final i konfliktit, pasi, katër muaj më vonë, udhëheqësit e boshnjakëve të rraskapitur, të serbëve dhe të kroatëve nënshkruan në Dejton marrëveshjen për t'i dhënë fund luftës. Bosnja mbetet një vend thellësisht i ndarë dhe jo funksional, por paqja është mbajtur. Rezoluta është një tjetër hap drejt vendosjes së fantazmave të Srebrenicës në harresë. Me dy përjashtime: Ratko Mlladiq, komandanti i forcave serbe të Bosnjës gjatë luftës, dhe Goran Haxhiq, udhëheqësi i rebelëve serbë në Kroaci - çdo person i akuzuar nga Gjykata e OKB-së për krime të luftës për ish-Jugosllavinë, përfshirë edhe ata që e kanë kryer masakrën, janë ballafaquar me drejtësinë në Hagë. Për më tepër, Gjykata e ka cilësuar masakrën si gjenocid. Në 2007-ën, Gjykata Ndërkombëtare e Hagës ka rënë dakord se Beogradi ka dështuar në përgjegjësinë për t'i ndaluar vrasjet nga forcat serbo-boshnjake, të cilat i ka mbështetur dhe i ka furnizuar. Ideja për kalimin e rezolutës në Parlamentin Serb për Srebrenicën nuk është e re, si nuk është e re edhe ideja për njohjen e masakrës, raporton "New York Times". Pesë vjet më parë, presidenti i Serbisë, Bors Tadiq, shkoi në Srebrenicë për të bërë homazhe për viktimat. Ai nuk mori përgjegjësinë për vrasjet në emër të Serbisë, por vizita e tij, megjithatë, ishte një akt i guximshëm. Shumë serbë të tjerë mohojnë që një krim i tmerrshëm u bë në emrin e tyre në Srebrenicë, ose thonë se gjëra të tmerrshme gjithashtu u bënë gjatë konfliktit edhe ndaj serbëve dhe se askush nuk flet apo kërkon falje për to. Rezoluta me vështirësi u miratua në Parlament, me 127 vota pro nga 250 anëtarë që ka Parlamenti dhe shumë nga kundërshtarët i qëndruan besnikë retorikës nacionaliste të viteve ‘90. Si shumë serbë, ata kërkuan një rezolutë për të gjitha krimet e bëra gjatë luftës në ish-Jugosllavi, veçanërisht për ato që u bënë ndaj serbëve. Rezoluta, megjithatë, është një pikë politike referimi. Edhe nëse dështon në përcaktimin "gjenocid", e bën më të vështirë insistimin se masakra nuk ka ndodhur kurrë ose që numri i viktimave është ekzagjeruar. Tashmë, Qeveria serbe e gjen veten të kapur në një pozicion që dënohet nëse e bën dhe është e dënuar nëse nuk e bën. Nëse Beogradi nuk do të kishte bërë asgjë, serbët do të vazhdonin të akuzoheshin se nuk përballen me të kaluarën. Por, tani që ka bërë diçka, po akuzohet se ka vepruar nga motive të fshehura. Kjo është e turpshme. Kjo rezolutë është më mirë sesa asgjë dhe shumë më tepër se çka vendet e tjera kanë ofruar për krimet e tmerrshme që janë bërë në emër të tyre.