English

Kreu i DR, Selmani, takon ambasadoren e Holandës, Filipini

Shkup, 3 prill NOA - Në vazhdën e takimeve të rregullta me përfaqësues të shteteve të huaja në vend, Kryetari i Demokracisë së Re, Imer Selmani u takua me ambasadoren e Holandës, Simone Filipini, informon korrespondentja e agjencisë NOA>

Lideri DR-së Selmani shfrytëzoi rastin për të informuar më hollësisht ambasadoren Filipini me qëndrimet e tij dhe të subjektit politik që ai drejton në lidhje me situatën aktuale në vend, si dhe me arsyeshmërinë dhe qëllimet e iniciativave të ngritura nga Demokracia e Re për ndryshime në Komitetin për marrëdhënie ndëretnike, si dhe në Kushtetutën e Maqedonisë.

Bashkëbiseduesit ndanë shqetësimin e tyre për situatën aktuale politike në vend dhe të dy u pajtuan se keqësimi i marrëdhënieve ndëretnike nuk shkon në favor të ndërtimit të besimit mes bashkësive etnike, zhvillimit ekonomik dhe integrimit më të shpejtë të vendit në strukturat euro-atlantike.

Filipini dhe Selmani diskutuan për projektet dhe vendimet qeveritare të cilat nxitën reagime te qytetarët shqiptarë dhe acaruan marrëdhëniet ndëretnike dhe të dy konstatuan se të njëjtat janë të gabuara, duke cekur se kjo mënyrë e politikëbërjes së Qeverisë nuk kontribuon në përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve dhe në imazhin pozitiv të shtetit.

Selmani informoi Filipinin edhe për iniciativën e Demokracisë së Re për ndryshime kushtetuese dhe i shpalosi propozimet e DR-së që do të jenë temë e diskutimin në takim e ardhshëm të liderëve.

Ai arsyetoi para ambasadores Filipini nevojën për ndryshime në Gjykatën Kushtetuese, në mënyrën e ndarjes së buxhetit, si dhe zgjedhjes së Qeverisë dhe ceku se DR-ja do të kërkojë aplikimin e votimit të dyfishtë(parimin e Badenterit) gjatë sjelljes së vendimeve në sferat e lartpërmendura.

Selmani pohoi se këto ndryshime do të krijonin mekanizma mbrojtës nga majorizimi i shumicës mbi joshumicën, respektivisht nga maqedonasit ndaj shqiptarëve, si dhe do të rezultonte në barazi më të theksuar të bashkësive etnike në vend si në aspektin politik, ashtu edhe në atë ekonomik, social dhe kulturor.

Në fund, ambasadorja Filipini përgëzoi liderin e DR-së Selmani për rolin konstruktiv që luan edhe ai si një lider partie, por edhe Demokracia e Re si parti opozitare dhe inkurajoi Selmanin të vazhdojë me politikat e tij të cilat shkojnë në drejtim të zhvillimit të demokracisë konsenzuale, zhvillimit ekonomik dhe tolerancës ndëretnike dhe ndërfetare në Maqedoni.

z.r/e.r/NOA

KOMENTE