Ne nuk meritojmë këta politikanët që na gënjejnë, por ne kemi fuqi t'i ndryshojmë ata derisa nuk kemi shans t'i zgjedhim me votë të lirë. Duke na marrë këtë liri kryesore, këta politikanë që na gënjejnë na i kanë marrë të gjitha liritë e tjera
Nga Mero Baze*
Nëse shqiptarët do të qeveriseshin nga politikanë të sinqertë dhe parimorë, sot do të ishte një ditë e mirë për ta. Së pari, Shqipëria sipas Berishës sot do ishte një vend i lirë, me liri ekonomike, dhe liri mediesh ku do të ishin zhdukur monopolet që sundonin ekonominë në vitin 2005.
Sipas Berishës, ne sot do të ishim një vend me viza të liberalizuara, ku qytetarët e vendit tim do të lëviznin lirisht në të gjithë Evropën, ashtu si maqedonasit, serbët dhe malazezët. Shqipëria sot do të ishte vendi më i përparuar në rajon në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe vendi më i sigurt për investime të huaja.
Ne sot do të kishim një infrastrukturë moderne dhe për tri orë Tirana do të lidhej me Prishtinën dhe me Sarandën. Shqipëria sipas Berishës, do të ishte po ashtu një vend i sigurt.
Djali i kryeministrit nuk do të bashkëpunonte me Delijorgjin dhe njerëz të tjerë të afërt me Berishën për të ndërtuar një fabrikë të pasigurt në Gërdec, duke rendur pas fitimeve dhe nuk do të merrnin 26 jetë njerëzish.
Monopolet në ekonomi do të ishin zhdukur dhe Berisha, siç dhe premtoi vetë, do t'i çonte trafikantët e naftës para drejtësisë. Ai denoncoi qysh më 2005 Rezart Taçin si trafikantin më të madh të naftës në Ballkan dhe nuk do t'ia jepte kurrë kompanisë shtetërore të ARMOS më 2009, sikur të ishte një kryeministër i lirë.
Shqipëria sipas Berishës, do t'u kthente pronën banorëve të Kakomesë, të cilëve po sipas Berishës mund t'ua grabisë tokën vetëm një kryeministër, por më 2010 toka e tyre është kthyer në rezervat nga ku niset drogë për Itali. Shqipëria sipas Berishës, do të kishte një sistem drejtësie perfekt.
Drejtësia shqiptare nuk do të toleronte ministra me imunitet që akuzohen për vjedhje dhe vrasje masive. Sikur Berisha të ishte një kryeministër i lirë dhe parimor, ai nuk do të pyeste për imunitetin e Lulzim Bashës dhe Fatmir Mediut, por do t'i dërgonte ata para drejtësisë.
Shqipëria sipas Berishës, do të ishte një vend që do të ndërtonte një rrjet infrastrukture moderne. Rrugët e jugut, aksi Levan - Tepelenë dhe Levan - Vlorë kanë qenë gati për t'u ndërtuar qysh më 2005, por në vitin 2010 asnjë prej këtyre akseve nuk është ndërtuar, për shkak se paratë për to i morën njerëz të afërt të Berishës.
Shqipëria sipas Berishës, ndërtoi në vitin 2009 një rrugë shumë të shtrenjtë dhe më të mirën në rajon që lidh Shqipërinë me Kosovën, por në vitin 2010 kjo rrugë shërben vetëm për të shkuar të presin dru në pyll malësorët e Shqipërisë veriore.
Tuneli është shembur dhe kostoja e saj po i merr frymën ekonomisë së varfër shqiptare. Shqipëria e Sali Berishës do të bëhej fuqi energjetike, por në vitin 2010, përveçse janë shpërndarë dhjetëra licenca hidrocentralesh për njerëz të afërt të Berishës, nuk është ndërtuar asgjë e re. TEC i Vlorës, i cili ka kushtuar rreth 100 milionë euro, ka dalë që punon me humbje dhe nuk do të përdoret kurrë.
I vetmi dëm që ka bërë është se ka zënë 14 hektarë tokë dhe ka harxhuar 100 milionë euro nga taksat tona. Po ashtu, sipas Berishës, ne do të ndërtonim centrale atomike, për shkak se fqinji ynë Italia nuk dëshiron t'i ndërtojë ato në tokë të vet, njësoj si fabrikat çimentos.
Shqipëria e sotme po ashtu nuk do të kishte një koalicion mes Metës dhe Berishës, nëse besonim Metën dhe partia socialiste nuk do të ishte në Kuvend nëse besonim Edi Ramën. E vërteta është krejt ndryshe. Dhe ndryshimi në këtë vend vjen nga gënjeshtra e madhe se ne jemi një vend demokratik, se ne bëjmë zgjedhje të lira dhe se ne meritojmë politikanët që kemi. Kjo nuk është e vërtetë.
Ne nuk meritojmë këta politikanët që na gënjejnë, por ne kemi fuqi t'i ndryshojmë ata derisa nuk kemi shans t'i zgjedhim me votë të lirë. Duke na marrë këtë liri kryesore, këta politikanë që na gënjejnë na i kanë marrë të gjitha liritë e tjera.
(*) Dërguar nga autori, pikëpamjet e shprehura janë qëndrime personale