Tiranë, 3 Prill NOA - Qeveria fsheh të dhënat e ekonomisë, këtë shqetësim ngriti në një komunikim mediatik deputeti i PS, Ilir Beqja. Deputeti socialist tha se të dhënat e ekonomisë mungojnë nga burimet zyrtare dhe nuk bëhen publike me qëllim fshehjen e të dhënave.
Beqja evidentoi se vetëm në 2009 humbën punën 20 mijë vetë, dhe alarmoi se askush nuk thotë se si do rikuperohen.
Të enjten, në sallën e Kuvendit, dhe dje në zyrën e tij, Ministri i Financave u përpoq të ndërpresë memecërinë disa mujore të qeverisë shqiptare për të vërtetat e ekonomisë së vendit, - akuzoi Beqja.
Ai shtoi se ka disa muaj që çfarë ndodh me ekonominë e vendit mbahet e fshehur ashtu si mbahet i fshehur në kutitë e Ruzhdijes vullneti i shqiptarëve.
"Dhe mbahet e fshehur sepse, pasi i vodhi votat, qeveria e Sali Berishës po vjedh edhe në xhepat e shqiptarëve, pa dalluar askënd: sipërmarrës të madh, të mesëm apo biznes të vogël, fermer apo shitës ambulant, punëtorë apo të papunë, invalid apo pensionist", - tha Beqja..
Duke folur për të dhënat më të fundit zyrtare që janë shtator 2009 apo nëntor 2009 Beqja kritikon situatën ekonomike dhe shton se "edhe e ardhmja e afërt e ekonomisë së vendit është shumë e zymtë".
Sipas deputetit socialist, të dhënat zyrtare tregojnë se në muajt e parë të këtij viti:
- Importi i makinerive dhe pajisjeve ka rënë me ¼
- Importi i materialeve të ndërtimit dhe metaleve ka rënë me 1/5
- Kredia afatmesme për investime në linja prodhimi ka rënë,
- Është shtuar vetëm kredia për kapital qarkullues, pra për të paguar paga e detyrimeve, sepse Ministri i Financave e shkeli edhe premtimin publik se deri në fund të shkurtit do të likujdonte të gjitha detyrimet ndaj sipërmarrësve që punojnë në punë publike.
- Kreditë e këqija kanë arritur 11.5 % të portofolit të kredive.
Pra, në vendin tonë, nuk po investon njeri. 20 mijë vende pune që u humbën në vitin 2009 nuk dihet se si do të rikuperohen, - konkludoi Beqja.
Ai këtu akuzoi se Qeveria, pa dyshim që i di këto të dhëna, por i fsheh qëllimisht dhe vlerësoi se Berisha, kurajën për t'i fshehur e gjen tek fakti se është e ngritur mbi vota të vjedhura dhe të trafikuara.
"Motivet për t'i fshehur i burojnë nga qëllimi i vetëm për të vazhduar të vjedhë shqiptarët. Është ky pushtet, i ngritur mbi një sistem kryekëput të manipuluar, që sot po i lë shqiptarët pa punë, me më pak të ardhura dhe me më pak shpresë", - ishte komenti përmbyll;ës i deputetit Beqja.
e.r/NOA