Tiranë, 3 prill, Milena Selimi, NOA- Sikur të mos kishte atë pjesëmarrje në këtë eveniment, ky film do të ishte si gjithë të tjerët nga prezantimet e shqiptarëve. Por Xhuvani s'është mjaftuar me kaq në prezantimin e tij në festivalin e filmit të "Busto Arsizio Film Festival', i cili ka përfunduar pak ditë më parë.
Pa jehonën e duhur në vendin tonë, si ndodh zakonisht për aktivitete të ndryshme, "Lindje, Perëndim, Lindje" drejtuar nga Xhuvani, ka merituar çmimin kryesor në këtë eveniment. Juria nuk ka hezituar dhe në emër të saj Paolo Lizzani, kryetari i saj, e ka kurorëzuar si më të mirin këtë bashkëprodhim shqiptaro-italian, për të cilin është vlerësuar edhe kolona zanore, e cila mban firmën e Enrico Ruggeri-t.
Veç tij ka qenë filmi "Rusca" i Alberto Bennati-t që u vlerësua për skenarin më të mirë. Felice Farinamori mori çmimin për regjinë më të mirë me filmin "La fisica dell'acqua". Çmimin si aktorja më e mirë e mori Kaltoum Boufangacha me filmin "La straniera" i regjisorit Marco Turco, ndërsa aktori më i mirë u vlerësua Massimo Poggio me filmin "Il compleanno" nga Marco Filiberti etj.
Por evenimenti i festivalit kanë qenë të ftuarit e shumtë, mes tyre të ftuarit e rëndësishëm si Oona Chaplin, fituesi i çmimit "Oskar", Murray Abraham, Umberto Eco, Massimo Venier dhe Massimo Ciavarro. Një hapësirë të rëndësishme në B.A. Film Festival ka pasur edhe muzika, e cila është realizuar si një homazh për Minën, që është respektuar në këtë mënyrë në 70 vjetorin e saj të lindjes. Mina, këngëtarja e mirënjohur italiane, ka lindur pikërisht në Busto Arsizio.
"Lindje, Perëndim, Lindje" sjell historinë e një grupi çiklistësh të drejtuar nga trajneri i tyre Ilo Zotos, interpretuar nga Ndriçim Xhepa. Në një moment vjen një njoftim nga shteti që një ekip çiklistësh duhet të shkojë dhe të përfaqësojë shtetin tonë jashtë vendit, në një aktivitet tur çiklistik që zhvillohet në Francë. Për të krijuar një ekip kombëtar me çiklistët më të mirë të momentit vendosin dhe për një trajner që duhet ta drejtojë këtë ekip. Ngjarjet zhvillohen rreth viteve 1989-1990. Është një kohë ku në Shqipëri u ndërruan sistemet. Dhe ky ekip çiklistësh del për të kryer aktivitetin mes shumë peripecive. Ata kërkojnë të kthehen në atdhe, por nuk munden, sepse kufijtë janë të bllokuar...
m.s/NOA