English

Ramiz Alia u thotë "më fal" viktimave të komunizmit

Tiranë, 3 prill, NOA - Ish-udhëheqësi i Partisë së Punës, dhe më vonë presidenti i parë në Shqipërinë pas-komuniste, Ramiz Alia, për herë të parë ka kërkuar falje për krimet e komunizmit.

Alia, i cili qëndroi në pushtet deri në vitin 1992, në një intervistë për BBC shpreh keqardhje për kohën kur ai ishte në krye të shtetit komunist. "Më vjen keq dhe e konsideroj gabim që ka pasur njerëz që janë bërë viktima të pakujdesisë sonë, veprimeve tona të ashpra, apo ... gabimeve, apo institucioneve tona, si policia sekrete," thotë ai.

Duke komentuar zbulimin e varrit masiv në Malin e Dajtit, Alia shton se "ka pasur raste të tilla. Më vjen keq për këtë, me vjen absolutisht keq, dhe mendoj se për ta duhet të ketë drejtësi," shton Alia.

Megjithatë, ai beson se ajo që ndodhi në të shkuarën është më mirë të lihet në të shkuarën. "Mendoj se është më e rëndësishme për Shqipërinë që të mos merret me të shkuarën, por me të tashmen. Shqipëria përballet me një krizë të ashpër ekonomike dhe politike. Është e varfër dhe ka një krizë politike," shton ai. Alia thekson se kjo e sotmja "Nuk është një krizë për ideologji politike, por një krizë se kush do të largojë tjetrin nga pushteti".

m.xh/NOA/BBC

KOMENTE