English

Raporti i DASH, flet kreu i Burgjeve: Ku çalojnë qelitë tona

Tiranë, 3 Prill NOA - Raporti i vitit 2009 i Departamentit Amerikan të Shtetit për Respektimin e të Drejtave të Njeriut në Burgjet dhe Paraburgimet Shqiptare vuri në lëvizje Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe titullari i saj Gazment Dibra, doli sot në një konferencë për shtyp.

Z. Dibra vuri në dukje të gjitha angazhimet e ndërmarra dhe reformat e kryera për të krijuar kushte sa më të mira për trajtimin me dinjitet të personave të privuar nga liria.

Raporti është mbështetur në konstatimet e bëra nga inspektimet e kryera nga CPT, Avokati i Popullit, OJQ, nga përfaqësues të DASH dhe Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë.

Bazuar në inspektimet dhe monitorimet e kryera nga Komisioni për Parandalimin e Torturës (CPT), u raportuan disa nga problematikat më kryesore të sistemit dhe masat që ka marrë Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve për zgjidhjen e tyre. Problemi i parë që u konstatua ishte mbipopullimi në burgje.

"Për të ulur mbipopullimin, qeveria hapi 5 burgje të reja gjatë vitit dhe në muajin prill miratoi ligjin për hyrjen në fuqi të shërbimit të provës, ku i dha mundësinë personave që kanë kryer krime të lehta të lirohen me kusht. Afërsisht 80 të dënuar përfituan nga ky program" - thuhet në këtë raport që citoi sot Dibra.

Më konkretisht gjatë dy viteve të fundit me financim të Komisionit Evropian dhe Qeverisë Shqiptare u hapën institucione penale në Vlorë, Korçë, Fushë-Krujë, Durrës dhe Kavajë. Shifrat e mbipopullimit u ulën nga 900 persona në 2008, në 540 persona në 2009. Aktualisht shifrat e mbipopullimit janë 333 persona, bazuar në statistikat e muajit mars 2010.

Deri në vitin 2013, sipas programit IPA 2007 të Komisionit Evropian është projektuar hapja e 7 institucioneve të reja në vend.

Për Dibrën, hapja e këtyre institucioneve do t'i japë fund problemit të mbipopullimit dhe në të njëjtën kohë do të mbyllen të gjitha institucionet penale në vend të cilat nuk plotësojnë kushtet optimale për trajtimin e personave me liri të kufizuar.

Mbipopullimi u trajtua si problem edhe në disa qeli të regjimit të grave tek burgu 313 në Tiranë. Sipas raportit të DASH "mbi 4 gra mbaheshin në një qeli, përmasat e së cilës ishin 7 m2. Ky është i vetmi institucion paraburgimi në vend në të cilin mbahen gratë e paraburgosura. Në nëntor, qeveria nënshkroi një memorandum bashkëpunimi me një OJQ, për të rritur kapacitetet e institucionit."

Përveç kësaj, gjatë vitit 2009 është realizuar projekt-zbatimi dhe është hartuar dokumentacioni tekniko-ekonomik për rikonstruksion dhe adaptim për burg grash në IEVP Rrogozhinë.

Me nota pozitive është vlerësuar bashkëpunimi dhe transparenca e DPB-së me organizata jo qeveritare.

Sipas DASH - "Qeveria lejoi grupe lokale dhe ndërkombëtare të mbrojtjes së drejtave të njeriut, median dhe të tjerë, të monitorojnë kushtet në burgje. Ligji i jep të drejtën Avokatit të Popullit për implementimin e Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës.

Sakaq z.Dibra evidentoi edhe faktin se Avokati i Popullit ka marrë disa ankesa për keqtrajtime. Gjatë inspektimeve të qershorit të vitit 2008, Avokati i Popullit raportoi se të dënuarit e burgut të Burrelit pësojnë abuzime të konsiderueshme psikologjike dhe fizike. Ministria e Drejtësisë organizoi më shumë kurse trajnimi për stafin e burgut dhe lehtësoi mbipopullimin. Gjatë vitit Avokati i Popullit nuk mori asnjë ankesë për sa i përket burgut të Burrelit.

Në kuadër të këtij bashkëpunimi, gjatë vitit 2009 janë trajtuar rreth 32 materiale të institucionit të Avokatit të Popullit në lidhje me përmirësimin e kushteve të jetesës në IEVP, për zgjidhjen e problemeve të ndryshme në sistemin e burgjeve të konstatuara nga Avokati i Popullit, në lidhje me ankesat e të burgosurve për keqtrajtim si dhe çështje të tjera.

Bazuar në letrat dërguar këtij institucioni i është kthyer përgjigje 455 të dënuarve dhe të paraburgosurve në lidhje me kërkesat dhe ankesat e tyre për transferim, njohje amnistie, falje, leje shpërblyese dhe të veçanta, njohjen e ditëve të punës etj.

Konstatim tjetër në raportin e DASH, bazuar në raportimet e Avokatit të Popullit, ishte se në burgun e Korçës dhe paraburgimin e Durrësit të miturit mbaheshin në të njëjtin ambient me të rriturit.

Në mënyrë më specifike u raportua se moshat nga 14-18 vjeç mbaheshin së bashku. Avokati i Popullit rekomandoi se kësaj praktike duhej t'i jepej fund menjëherë; implementimi i këtij rekomandimi ishte në proces deri në fund të vitit 2009.

Me qëllim rehabilitimin e kësaj kategorie të burgosurish dhe në mënyrë të veçantë krijimin e programeve të trajtimit për mos përsëritjen e krimeve dhe integrimin në shoqëri, në tetor të vitit 2009 u hap në Kavajë Instituti i të Miturve.

Kjo është një qendër me kushte optimale dhe standarde bashkëkohore me investim të Komisionit Evropian.

Pjesa e fundit e raportit të DASH për respektimin e të drejtave të njeriut kishte të bënte me rritjen profesionale të stafit dhe zbatimin e Kodit të Etikës. Në të thuhej se gjatë vitit filluan proceduarat disiplinore për sjellje të pahijshme për 186 roje burgu dhe oficerë.

Në zbatim të akteve ligjore dhe praktikave përkatëse, për parandalimin e akteve korruptive dhe rritjen e eficencës së sistemit Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve në bashkëpunim me organizata të ndryshme ka hartuar praktika të reja rekrutimi për stafin si dhe përfshirjen e punonjësve të gjitha niveleve në trajnime. Gjatë 2009 u trajnuan rreth 1020 punonjës.

Në përfundim z.Dibra tha se misioni dhe objektivat që ka Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, konstatohen qartë në këtë raport se janë në një rrugë të mbarë. Sigurisht të metat që konstaton ky raport gjatë vitit 2009 janë kthyer pjesë e programit korrigjues për vitin 2010.

"Në qendër të punës do të vazhdojë të jetë trajtimi me dinjitet i personave me liri të kufizuar dhe siguria e gjithë sistemit. Për këtë jemi të vendosur të vazhdojmë bashkëpunimin me të gjitha organizatat që operojnë në këtë fushë pa harruar respektimin e një stafi shumë të madh që punon për përmbushjen e këtyre misioneve delikate dhe fisnike", - siguroi Dibra.

e.r/NOA

KOMENTE