English

Shqiptarët përtej kufirit, tani shumë afër detit

Shqipëria turistike, në Panairin e Prishtinës: Të apasionuarit pas detit do të kenë mundësi të shumta për t'u njohur dhe vizituar objektet e larmishme të trashëgimisë kulturore

Prishtinë, 3 Prill NOA - Kosova ka qenë këto ditët e fundit epiqendra e veprimtarive turistike. Në kryeqytetin e saj, Prishtinë, është hapur panairi i Turizmit, ku kanë marrë pjesë operatorë të ndryshëm nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia. gjencia Kombëtare e Turizmit ka paraqitur në këtë panair performancën turistike të Shqipërisë, e favorizuar në grupin e vendeve pjesëmarrëse nga bregdeti i saj i mrekullueshëm.

Për të marrë pjesë në këtë panair ishin të pranishëm edhe një grup i Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Shqipërisë i kryesuar nga zv. Ministri, Nikoll Lesi.

Ndërkaq veprimtaritë e shumta kanë bërë qe angazhimi në paraqitjen e mundësive turistike të Shqipërisë të jetë maksimal.

Në të gjitha këto veprimtari, në takimin me Kryeministrin Thaçi, ministrin e Kulturës, Lutfi Haziri, ministrin e Industrisë e të Tregtisë, Lutfi Zharku si dhe zv. Ministrin Januz Kastrati, është biseduar me përgjegjësi për mundësitë e rritjes së mëtejshme të bashkëpunimit në fushën e turizmit e të trashëgimisë kulturore midis të dy shteteve.

Lesi në këto bisedime ka paraqitur përparësitë që ofron Shqipëria në sezonin turistik 2010.

Ndërsa në një konferencë shtypi të përbashkët me zv. Ministrin Kastrati, ai ka shpjeguar para gazetarëve dhe opinionit se: "Shqipëria këtë vit është plotësisht e përgatitur për të pritur një numër shumë më të madh turistësh nga Kosova".

Nëse vitin e kaluar turistët nga Kosova shënuan një rritje prej tre fish, duke arritur në 470 mijë gjithsej, këtë vit mendohet se shifra do të jetë më e lartë.

Mundësitë dhe atraktivitetin turistik të vendit do ta rritin masat e marra për të siguruar një mjedis të pastër ekologjik si dhe duke vendosur rregulla më strikte në eliminimin e zhurmave dhe defekteve të tjera që janë vërejtur në të kaluarën.

Lesi premtoi se operatorët turistikë të Shqipërisë do të ofrojnë jo vetëm kushte më të mira, por edhe çmime të pranueshme e të leverdishme.

"Koston e shpenzimeve për pushimet turistike të këtij viti do ta ulë njëkohësisht hapja dhe funksionimi për 24 orë i tunelit të Kalimashit, çka do ta afrojë Kosovën me detin më shumë se kurrë ndonjëherë në historinë e saj", - tha Lesi.

Duke vënë në dukje këtë realitet të ri, presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, kujton se në Prizren tashmë është e pranishme reklama "Shesim një shtëpi dy orë larg detit"!

Panairi i turizmit në Prishtinë është bërë një traditë tashmë e përvitshme. Populli i Kosovës merr përmes këtij evenimenti informacionin e nevojshëm për mundësitë që ofron bregdeti shqiptar për pushime me leverdi dhe atraktive.

Por e veçanta e këtij viti lidhet me faktin se ky informacion është ofruar në një lidhje të ngushtë me përpjekjet që do të bëhen për kombinimin e turizmit të detit me turizmin kulturor.

Trashëgimia kulturore e Shqipërisë, si parku kulturor arkeologjik i Butrintit, qyteti i Gjirokastrës dhe Beratit, janë tri nga fondet më të çmuara të klasifikuara si pasuri botërore e UNESKO-s.

Kurse më tej në Shqipëri ofrojnë mundësi atraktive të mëdha turistike objekte të shumta arkeologjike e të trashëgimisë kulturore, si Kalaja e Shkodrës, ajo e Lezhës, Kalaja e Krujës dhe muzeu "Gjergj Kastrioti Skënderbeu", Muzeu Historik Kombëtar i Tiranës, Kalaja e Petrelës në Tiranë, trashëgimia kulturore e qytetit të Durrësit, me amfiteatrin antik si dhe Muzeu i mrekullueshëm arkeologjik kombëtar në këtë kryeqytet.

Apolonia, Bylisi antik si dhe objektet arkeologjike në Vlorë, Sarandë etj., japin gjithashtu mundësi të mëdha për një kombinim të shkëlqyer midis pushimeve ranore dhe argëtimit kulturor.

Shqipëria ka mundësi të jashtëzakonshme në këtë fushë. Për rrjedhojë të apasionuarit pas detit do të kenë mundësi të shumta për t'u njohur dhe vizituar objektet e larmishme të trashëgimisë kulturore.

Për këtë qëllim janë marrë disa masa që të përmirësohet infrastruktura rrugore midis bregdetit dhe vendndodhjes së këtyre objekteve. Krahas një infrastrukture të përmirësuar tej mase në të gjithë vendin, pushuesit do të gjejnë dhe një infrastrukturë të përmirësuar për këtë qëllim.

Operatorët turistikë do të zhvillojnë më shumë se kurdoherë tjetër guida të tilla dhe industria turistike e ajo kulturore do të rrisin interesin e pushuesve nga e gjithë bota. Panairi i Prishtinës u drejtohet në radhë të parë pushuesve nga Kosova e pse jo edhe atyre nga vendet e tjera të rajonit tonë.

a.k/e.r/NOA

KOMENTE