Ringjallja e Krishtit është themeli i shpresës që mund çdo dëshpërim. Qofshin këto Pashkë frymëzim shprese dhe burim bekimi për të gjithë shqiptarët
Nga Rrok Mirdita*
Të krishterët në të gjithë botën kremtojnë sonte misterin e çlirimit të historisë në Pashkët e Jezusit, Birit të Hyjit.
Krishti ka lindur në historinë tonë në një kohë të caktuar, dymijë vjet më parë në Betlehemin e Judesë.
E Krishti ka vdekur po në historinë tonë, nën poncin Pilat, i gozhduar në një kryq, që është bërë bekim për botën dhe historinë.
Por, ai vazhdon të lindë në çdo kohë dhe në çdo vend në zemrat dhe në jetët e atyre që kanë vendosur ta ndërtojnë ekzistencën në ligjin e ri të dashurisë.
Dhe përsëri ai vdes në ditët tona dhe në jetët tona, atje ku mëkati shëmton bashkëjetesën njerëzore.
Vdes në fëmijën e pafajshëm që abortohet, në të varfrin që shfrytëzohet, në të shtypurin që vuan, në të pambrojturin që vritet, në ngurtësimin e zemrës që kërkon hakmarrje.
Por, toka nuk mund të mbajë në thellësinë e saj të drejtin e Hyjit.
Ati e ka ringjallur nga të vdekurit duke i dhënë fund vdekjes dhe duke ju kthyer të drejtën dhe shpresën të gjithë të shtypurve të historisë.
Vdekja dhe ringjallja e tij është prova se britma e të pafajshmëve ka arritur gjer te veshët e Hyjit dhe se Hyji i është përgjigjur njeriut duke i dhënë në Jezusin e ringjallur garancinë se jeta e ka mundur vdekjen dhe se të vuajturit do të shohin me sytë e tyre fitoren e ëndërruar.
Ringjallja e Krishtit është themeli i shpresës që mund çdo dëshpërim.
Qofshin këto Pashkë frymëzim shprese dhe burim bekimi për të gjithë shqiptarët!
Për shumë vjet Pashkët dhe Zoti e bekoftë vendin tonë.
(*) Urimi i Shkëlqesisë së tij Imzot Rrok Mirdita Arqipeshkëv Metropolitan Tiranë-Durrës dhe Kryetar i Konferencës Ipeshkëvore të Shqipërisë