Prishtinë, 4 prill - Ambasadori amerikan i Lirisë dhe i Paqes, miku i madh i shqiptarëve dhe i Kosovës, z. Wiliam Walker, tashmë është i njohur për mbarë shqiptarët, kudo në botë. Ai, me veprimet e tij dhe me humanitetin e vërtetë bëri veprime konkrete në sensibilizimin e çështjes së Kosovës gjatë luftës, e sidomos në prag të intervenimit të NATO-s për shkatërrimin e caqeve serbe në Kosovë dhe serbi dhe për të ndalur gjenocidin dhe shfarosjen e shqiptarëve nga barbarhanja serboçetnike. Por, z. Walker, i cili sot në Kosovë, në Reçak, në Drenicë, Kaçanik e gjithkund pritet si hero i vërtetë kurdoherë që gjendet midis nesh, nuk e ndal rrugëtimin dhe kontributin e tij, në mënyrë që vendi ynë, Kosova, shteti më i ri në botë të fitojë sa më shumë njohje ndërkombëtare dhe të bëhet shtet i fuqishëm dhe i njohur nga të gjitha shtetet e botës… Megjithatë, z. Walker, në kontributin e tij të pandalshëm për të mirat e Republikës së Kosovës, nuk kursen as kritikat për institucionet dhe qeverisjen aktuale, për të cilën ai thotë se, duhet të ndryshojë mënyrën e qeverisjes dhe të luftojë korrupsionin e lartë në këto institucione. Z. Walker flet edhe për Kryekomandantin Legjendar Adem Jashari dhe Jasharajt Legjendarë, për Albin Kurtin dhe Lëvizjen " Vetëvendosje"…
Më poshtë ndiqni intervistën që dha Wiliam Walker për gazetën "Bota Sot"
Jeni një mik i madh i Kosovës dhe i Shqiptarisë. Kontributi Juaj nuk harrohet për çlirimin e Kosovës. Por, sot, gati 11 vjet pas çlirimit , çka mendoni, cili është pozicioni i Kosovës në momentin e pikërishtëm?
Është gjithmonë lehtë të thuhet për ankesa dhe kritika, por duhet të kujtojmë se Kosova është një vend shumë më ndryshe se që ka qenë 12 vjet më herët, njerëzit ndihen të lirë, mund të organizohen politikisht, njerëzit janë duke udhëhequr punët e tyre, prandaj duhet t'i kujtoni lajmet e mira. Tani duhet të fokusoheni në gjërat kritike, gjërat që duhen të përmirësohen.
Megjithatë harta botërore e njohjeve për Kosovën po përjeton një ritëm të ngadaltë, posaçërisht derisa nuk ka përfunduar Vendimi I Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, I cili me gjasë do të ndodhë në muajin gusht të këtij viti. Ju si Njeri që ia doni të mirën vendit tonë, si e vlerësoni këtë proces …?
Kjo është një nga fushat në të cilat kam qenë më kritik. Mendoj se, që nga pavarësia, dy vjet më parë, madje edhe para pavarësisë, Qeveria juaj nuk i ka shërbyer njerëzit e Kosovës aq mirë duke mos i kushtuar vëmendje imazhit të jashtëm të këtij shteti të ri. Mendoj se keni dështuar t'i tregoni botës se, pse keni shpallur pavarësinë dhe nuk i keni marrë njohjet që Kosova meriton. Mendoj se asnjë shtet në botë, ndoshta me 2-3 përjashtime ka ndonjë arsye që të mos njihte shtetin e Kosovës. Dhe, ende në dy vjet keni arritur që të merrni 65-66 njohje. Unë mendoj se shumë pak përpjekje janë bërë që të shkohet në Amerikën Latine, Afrikë, apo në Lindje të Largët që t'u tregoni njerëzve se pse Kosova është shtet i pavarur dhe pastaj, zyrtarisht të kërkohet njohja. Keni bërë këtë duke dërguar letra, por nuk keni dërguar njerëz që të shpjegojnë këtë dhe shumë shtete kur pranojnë letra nga Ministria e Jashtme, por ato mbeten vetëm letra … Po, është e vërtetë se ato kushtojnë vëmendje për ato letra, por nuk është njëjtë sikur të ketë një reprezentues personal që të shkojë në çdo shtet dhe të shpjegojë se pse ai shtet duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës. Prandaj, jam shumë kritik për përpjekjet tuaja sa i përket marrëdhënieve të jashtme.
Ju po e jepni kontributin tuaj vazhdimisht për zgjerimin e njohjeve nga shtetet e ndryshme të botës. Sa ia keni arritur dhe ku është përqendrimi juaj lobues i radhës në vazhdim… ?
Pjesën e botës të cilën e njoh më së miri është Amerika Latine, hemisfera e perëndimit. Kam shërbyer në 5 apo 6 shtete, duke filluar prej Brazilit të Madh deri te El Salvadori i Vogël. Njoh shumë njerëz atje dhe kam biseduar me shumicën nga ato shtete duke shfaqur interesimin tim për Kosovën dhe rëndësinë për njohje. Kam pasur shumë pak sukses, sepse kur më pyesnin ata se, kur do të vijë dikush nga Ministria e Jashtme, ministri i punëve të jashtme, apo edhe zëvendësministri, gjithherë më është dashur që të them, se nuk e di! Askush këtu nga Qeveria nuk më është lutur që të bëj diçka për njohje të Kosovës ! Shteti në të cilin kam shpenzuar më së shumti kohë, kam bërë 4 udhëtime dhe do të bëj edhe një udhëtim javën e ardhshme është El Salvador, ku kam qenë ambasador. Kam biseduar me Eguen, dhe duke filluar nga Ministria e Punëve të jashtme deri te kryetari i Kongresit, pastaj Parlamentit, dhe ata të gjithë pyesin se, kur do të vijë dikush nga Qeveria e Kosovës. Por, unë nuk mund t'u them asgjë atyre, sepse nuk e di. Mirëpo, unë do të vazhdoj të bisedoj me njerëz, kam folur me disa njerëz në Guatamala, me disa njerëz në Brazil , mirëpo prapë ata presin dikë nga Ministria e Punëve të Jashtme, të cilët zyrtarisht do të vijnë dhe të bisedojnë e diskutojnë me ta. Deri më tani kjo nuk ka ndodhur. Politikanët dhe liderët politikë kosovarë më shumë po punojnë për pasurimin vetiak, se sa për pasurimin dhe zhvillimin e shtetit të Kosovës …
Z. Walker, si dhe sa e vlerësoni angazhimin, punën e institucioneve aktuale të Republikës së Kosovës, presidentit, kryeministrit, kryeparlamentarit…?
Unë sapo thashë disa gjëra në mënyrë kritike për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe për vetë ministrin e Punëve të Jashtme. Për presidentin, nuk jam i sigurt të flas . Se, unë e kuptoj se çfarë bën presidenti juaj, si e kalon ditën. Kam takuar presidentin Sejdiu disa herë dhe kemi pasur shumë biseda të këndshme. Mirëpo, sa i përket çështjes se si të qitet fjala jashtë për Kosovën, se çka ky shtet përfaqëson, me të vërtetë nuk e di se çfarë ka bërë. Me sa e kam kuptuar unë, në koalicionin qeveritar, presidenti është i përgjegjshëm për punët e jashtme dhe se ai e ka caktuar ministrin e punëve të jashtme, dhe siç thashë edhe më herët, jam shumë kritik për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe vetë ministrin e Punëve të Jashtme, dhe prandaj duhet të jem edhe kritik ndaj presidentit. Dhe mendoj se, sa i përket çështjes së jashtme, duhet të vendoset njeriu i duhur për atë punë. Keni thënë dy vjet më parë, kur pavarësia është shpallur se ju, do të lansoni një kampanjë që t'i tregoni botës se për çka është krijuar ky shtet… Por, kjo deri më tash ende nuk ka ndodhur… Prandaj, jam shumë kritik… Prapë, nuk e di se si funksionon Parlamenti juaj. Kam folur me njerëz dhe e njoh Jakup Krasniqin më se 11-12 vjet kur e kam takuar atë kur ka qenë në UÇK. Shokët e mi në përgjithësi kanë përshtypje pozitive për kryetarin e Parlamentit, dhe përveç informatave që nuk i di, mendoj se është duke bërë punë të mirë.
Edhe pas 17 Shkurtit, kur Kosova fitoi Pavarësinë, vendi vazhdon të jetojë në një varfëri e skamje, ku kemi papunësi të lartë, madje me përqindje mjaft të theksuar edhe të varfërisë së skajshme. Gjithashtu, Departamenti Amerikan I Shtetit, ditë më pare alarmoi edhe për korrupcion të lartë në institucionet tona dhe veprime jodemokratike institucionale. Ç'mendoni ju?
Niveli i korrupsionit tash … , ndoshta si në kohën e regjimit të Milosheviqit … Unë kam pasur një intervistë të gjatë në një gazete këtë mëngjes në të cilën unë jo vetëm se jam pajtuar me Departamentin e Shtetit, mirëpo kam shkuar edhe më thellë. Prapë mendoj se qeveria juaj ka humbur shumë kohë në dy vjetët e kaluara. Gjërat si, korrupsioni në institucionet publike janë bërë edhe më keq se që kanë qenë më herët. Ka njerëz që krahasojnë nivelin e korrupsionin në ditët e sotme me nivelin e korrupsionin nën regjimin e Sllobodan Millosheviqit dhe shpresoj se kjo nuk është e vërtetë dhe është vetëm një ekzagjerim. Mirëpo, shoh shumë politikanë dhe liderë politikë të cilët duken se janë duke punuar më shumë për pasurimin vetjak sesa për pasurimin e vendit. Problemi të cilin ju e përmendët ka të bëjë më shumë faktorë, një prej të cilëve është mungesa e investimit këtu që është produkt i krizës energjetike që keni dhe askush nuk është duke kushtuar vëmendje kësaj çështjeje dhe nuk i kanë kushtuar vëmendje as në këto 10-11 vjetët e fundit. Kur isha unë këtu menjëherë pas luftës, gjithkush e ka kuptuar se ju duhet një furnizim konsistent të energjisë në mënyrë që investimet të vijnë, flas për investimet serioze. 11 vjet më vonë, ne ende flasim për atë problem dhe askush nuk është duke bërë asgjë për këtë punë. Ju keni probleme të tjera ekonomike që të çojnë në problemin të cilin ju e përmendët. Por, korrupsioni, mungesa e investimit dhe mungesa e furnizimit me energji elektrike, plus disa faktorë të tjerë gjithmonë duke kontribuar për një situatë serioze, të cilës do të ishte mirë që njerëzit në Qeveri të fillojnë t;i kushtojnë vëmendje. Ju nuk i ankoheni më komunitetit ndërkombëtar për këto probleme, kjo ka qenë deri para datës 17 shkurt 2008 ! Tash jemi duke folur për vendimet e Qeverisë së Kosovës, dhe nëse dikush duhet të fajësohet, mendoj se njerëzit duhet vejnë gishtin nga Qeveria dhe t'i thuhet se, çfarë do të bëjnë për këtë varfëri, papunësi dhe çështje ekonomike që ne jemi duke i diskutuar.
Albin Kurti është shumë njeri i mençur dhe " Vetëvendosje" gjithnjë po rritet …
Z. Ambasador, gjatë prononcimeve tuaja të mëhershme, sidomos të para disa javëve, duke folur për problemet e Kosovës, ju ndër të tjera keni deklaruar se, i vetmi zë i vërtetë opozitar në Kosovë është lideri i Lëvizjes "Vetëvendosje", z. Albin Kurti. Ky vlerësim juaji është komentuar dhe komentohet gjatë. Tash, çka mendoni, kur njeriun e sipërpërmendur, liderin e Lëvizjes "Vetëvendosje", z. Albin Kurti. EULEX-I bashkë me disa "të tjerë" dëshiron ta burgosë … ?
Unë me të vërtetë besoj në lirinë e shprehjes dhe me të vërtetë besoj se komuniteti ndërkombëtar ju ka thënë kosovarëve për më se 11 vjet që të flasin kur të kanë ndonjë problem, apo sugjerim. Albin Kurti, si duket ka folur dhe është arrestuar dhe tash nuk jam i sigurt se shoh racionalizmin për këtë. Kam folur me Albin Kurtin shumë herë. Ai është shumë njeri i mençur dhe i ri dhe ai ka shumë ide. E di se ai është duke bërë shumë kritika se çka është duke ndodhur. Nuk jam i sigurt se çka do të bënte për të gjitha këto, sepse më shumë jep kritika sesa zgjidhje, por mendoj se njerëzit duhet të dëgjojnë Albin Kurtin dhe të gjykojnë se çka thotë dhe të shikojnë se ato që thotë, a kanë ndonjë sens. Mirëpo, nëse Albin Kurti mendon të jetë fuqi këtu, mendoj se duhet t'i thotë botës se çka do të donte ai të shohë këtu në Qeveri dhe në sistemin politik. Ai është një njeri shumë interesant dhe jam duke dëgjuar se lëvizja e tij është duke u rritur, kam parë edhe indikacione se ajo është e vërtetë, por mendoj se ai është momentalisht duke prezantuar opozitën, por është një numër i limituar i njerëzve që duan ta ndjekin Albin Kurtin. Nuk mendoj se kam thënë se nuk ka opozitë tjetër përveç Albin Kurtit. Kam biseduar me shumë njerëz, të cilët kanë probleme me Qeverinë aktuale, me sistemin aktual, prandaj është një opozitë këtu, mirëpo shumë nga ata nuk dëshirojnë që të flasin sepse frikësohen që mos e humbin punën, ose frikësohen se mund të kenë probleme të tjera. Partitë opozitare në Parlament, duket se janë ndarë në shumë grupe të vogla, ato nuk duken që të kooperojnë në një opozitë të bashkuar. Nuk dëgjoni aq shumë kritika nga opozita në Parlament, ose unë nuk kam dëgjuar. Por, definitivisht këtu ka opozitë, Albin Kurti është një tip, opozitë e qetë, është një tip tjetër, njerëzit në komunitetin ndërkombëtar, të cilët thonë se duhet bërë gjërat ndryshe se që jeni duke bërë, dhe shumë njerëz të tjerë që janë të lodhur nga korrupcioni. Shumë njerëz këtu, mendojnë se korrupcioni është duke u rritur dhe ka shenja që ata kanë të drejtë. Prandaj, ka opozitë, mirëpo ajo opozitë duhet të dalë në dritë me gjera të qarta dhe kjo është që, unë jam duke bërë kur flas për problemet, të cilat i shoh.
Përpiquni dhe ruani vlerat shqiptare, mos i humbni ato !
Kosova bëri historinë dhe ajo po e ndërton historinë , falë gjakut të dëshmorëve, falë ndihmës së jashtëzakonshme ndërkombëtare, pjesë e së cilës jeni edhe Ju si Personalitet. Si njeri që e keni dashur shumë UÇK-në dhe e keni ndihmuar atë, do t;ju pyes tash: Poqëse do ta takoni kryekomandantin Legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, i cili u flijua bashkë me Familjen e tij për ditët e sotme , çfarë do t'i thoshit …?
Pyetje shumë interesante. Së pari, do t'i thoja dhe unë jam i interesuar si çdo njeri tjetër në Kosovë. E admiroj atë që ka bërë Ai, jo vetëm Ai ,por edhe Familja e tij, pastaj do t'i thoja se ai do të ishte i dëshpëruar, i shkurajuar dhe i frustruar, duke parë se çka ka ndodh si rezultat i sakrificës së tij, si rezultat i të tjerëve që kanë dhënë jetën dhe pronën e tyre për të sjellë Pavarësinë. Dhe mendoj, se do t'i thoja, a di dikë tjetër si Ti që është këtu, i cili do të mundte, jo të bënte atë në aspektin që të jepte jetën ashtu siç keni bërë Ju , por do të ngrihej për të vërtetën dhe çka do të duhej të bëhej këtu në mënyrë shumë serioze, sepse tashti njerëzit si Jasharajt mendoj se janë shumë të qetë. Duhen njerëz që të ngriten dhe të thonë për gjërat, të cilat i shohin se nuk janë duke shkuar mirë. Do të thoja diçka të tillë, se për çka dhatë jetën Ju dhe familja Juaj, mendoj se ai mision ende nuk është kryer dhe në mënyrë që ky mision të realizohet, shumë njerëz duhet të zgjohen dhe të thonë mjaft, dhe të ndryshojnë gjërat…. Thashë dhe mendoj se, po te ishte Zotëri Jashari këtu, do t'i thoja, t'i thoshte Komunitetit Ndërkombëtar, falemnderit shumë për ndihmën tuaj, ju lutemi shkoni dhe pastaj t'u thotë liderëve tuaj se, Komuniteti Internacional nuk mund të fajësohet për gjërat që ju nuk i bëni, ne duam veprim, ne duam që paratë tona të shpenzohen në mënyrë të drejtë, në mënyrë që ky shtet të fillojë të shkojë rrugës së drejtë, jo në këtë rrugë që tani është duke shkuar.
I nderuari z. Walker, falënderimet për Ju, për gjithë atë çka keni bërë janë të përzemërta dhe të përhershme. Në Reçak, në Prekaz, Lybeniq, Kaçanik, Jezerc, Dukagjin, Llap, Suharekë, Mitrovicë… dhe në gjithë Kosovën, Populli ju njeh dhe Ju prêt si Hero i Lirisë së Kosovës dhe i Demokracisë. Çfarë do t'u përcillni qytetarëve mesazh …?
Për herë të tretë e them se gjërat janë më mirë se që kanë qenë, mirëpo mund të jenë shumë më mirë. Duhet të zgjoheni dhe të bëni gjërat më mirë, mos prisni nga tjerët që t'i bëjnë gjërat mirë, ju duhet t'i bëni. Një gjë tjetër që do t'i lutesha qytetarëve është se, kur kam arritur këtu, kam qenë më së shumti i impresionuar me sistemin e vlerave të shqiptarëve në Kosovë dhe më duhet të them se, jam duke parë që ato vlera janë duke humbur. Mos i humbni këto vlera…
FUND