Athinë, 4 Prill NOA - Një oficer policie është arrestuar në Greqi pasi akuzohet se ka trafikuar një femër shqiptare duke e futur atë ilegalisht në tokën helene, raporton korrespondenti i agjencisë NOA.
Bëhet e ditur se oficeri i policisë i përkiste një rajoni policor të Atikës në kryeqytetin grek. Një ditë më parë, ai është ndaluar në zonën e Sajadhës, afër kufirit shqiptaro-grek, ku në autoveturën e tij kishte fshehur një grua shqiptare, emri i të cilës nuk u bë i ditur.
Oficeri ka paraqitur pranë kolegëve të Gardës Kufitare, një dokument të falsifikuar identifikimi për femrën shqiptare, por agjentët kishin informacione paraprake për këtë linjë trafiku ndaj i ndaluan që të dy duke u vendosur prangat.
Policia dërgoi në gjykatë oficerin dhe klandestinen shqiptare dhe ata sot dolën para Gjykatës së Thesprotisë, nën akuzat, i pari për shpërdorim të detyrës dhe ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit dhe gruaja shqiptare, me akuzën për hyrje të paligjshme në tokën greke.
Nga hetimi doli se oficer që shërbente në stacionin e policisë në Atikë, e kishte marrë gruan shqiptare në zonën e Sajadhës, pak kilometra larg kufirit me Shqipërinë. Gruaja e marrë në pyetje tregoi se kishte kaluar nga mali për një pjesë të udhëtimit derisa i kishte dalë në rrugën automobilistike, sipas planit, oficeri grek. Ky i fundit pranoi se kishte si qëllim që ta dërgonte në Athinë gruan që futi ilegalisht në Greqi.
Policia sekuestroi makinën dhe kartën e falsifikuar të identitetit si dhe pezulloi nga puna oficerin që tani ndodhet në burg bashkë me femrën shqiptare.
n.s/NOA