Ministria e Jashtme Shqiptare e pyetur nga agjencia e Lajmeve NOA nuk e konfirmoi këtë raportim dhe tha se lajmi është i rremë. Burime zyrtare nga zyra e shtypit të zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Jashtëm shqiptar, i thanë agjencisë NOA se "Republika e Shqipërisë nuk ka as ambasadë, as rezidencë dhe as ambasador në Irak"
Bagdad, Irak, 4 Prill NOA- Rrjeti televiziv amerikan CNN (Cable News Network) raportoi sot duke iu referuar ekipit të saj në kryeqytetin iraken Bagdad se ndër tre shpërthime bombash të ndodhura atje, njëri ishte pranë rezidencës së ambasadorit shqiptar.
Por Ministria e Jashtme Shqiptare e pyetur nga agjencia e Lajmeve NOA nuk e konfirmoi këtë raportim dhe tha se lajmi është i rremë.
Burime zyrtare nga zyra e shtypit të zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Jashtëm shqiptar, i thanë agjencisë NOA se "Republika e Shqipërisë nuk ka as ambasadë, as rezidencë dhe as ambasador në Irak".
Mësohet se punën e përfaqësisë diplomatike shqiptare në Irak, e kryen ambasada shqiptare në Turqi.
Sipas CNN, një nga tre shpërthimet u shënua fare pranë ambasadës egjiptiane në Bagdad, po ashtu pranë një kompleksi ambasadash ku ndodhet dhe rezidenca e ambasadorit shqiptar.
CNN nuk raportoi viktima ndërsa burime të tjera i referohen të dhënave për evakuim të ngutshëm të personelit diplomatik në zonën ku u konstatuan shpërthimet e bombave.
Shqipëria i ka tërhequr trupat e saj ushtarake nga Iraku që prej dy vjetësh. Atëherë ministër i Mbrojtjes, Gazmend Oketa udhëtoi drejt Mosulit për të marrë pjesë në ceremoninë e uljes së flamurit shqiptar, por vizita e tij u mbajt sekret për arsye sigurie.
***
Bagdad: Nga eksplodimet - së paku 30 vetë të varë
Nga tri eksplodime të fuqishme në pjesën qendrore të Bagdadit, janë vrarë së paku 30 vetë dhe plagosur afro 100 të tjerë. Zëdhënësi i sigurisë, gjeneral Kasim al-Musavi, tha se cak i eksplodimeve ishin misionet diplomatike. Sipas tij, mund të ndodhë që numri i të vrarëve nga këto shpërthime të rritet. Radio Evropa e Lirë citon burime të ndryshme se raportohet që shpërthimet kishin ndodhur afër ambasadës së Egjiptit dhe afër shtëpisë së ambasadorit gjerman. Gjeneral Musavi tha se një eksplodim kishte ndodhur afër disa ambasadave, përfshirë edhe atë të Iranit. Ambasadori iranian, Hasan Kazemi Qomi, tha se është e paqartë se a ishte ambasada iraniane cak i shpërthimit. Ai theksoi se ndërtesa e ambasadës është dëmtuar, por punonjësit brenda ndërtesës nuk kishin pësuar.
e.r/NOA