English

Policia, kontroll me satelit për drogën në Lazarat

Gjirokastër, 4 Prill, NOA - Policia e Gjirokastrës, Vlorës dhe Sarandës do të kordinojnë një plan masash për të mundësuar bllokimin e të gjitha rrugëve automobilistike dhe malore nëpërmjet të cilave kalon droga nga fshati Lazarat.

Pjesë e këtij plani, të bërë publik nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Hysni Burgaj, është dhe kontrolli i zonës me satelitit për të evidentuar të gjitha parcelat që mund të kultivohen me bimë narkotike.

Kërkesa për marrjen e planit të masave është bërë sot nga Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, në një takim qa ka zhvilluar me drejtues të policisë në qytetin e Gjirokastrës.

Burgaj ka kërkuar me urgjencë hartimin e një plani të përbashkët me Drejtorinë e Policisë së Qarkut Vlorë, "me qëllim rakordimin e shërbimeve të komisariatit të Policisë Gjirokastër me shërbimet e policisë së Komisariatit të Policisë Delvinë, për të bërë të mundur bllokimin e të gjitha rrugëve automobilistike dhe malore të trafikut të Hashashit që del nga fshati Lazarat".

Burgaj ka kërkuar nga efektivat e policisë më shumë masa kundër kultivimit të hashashit. "Komuna Lazarat, apo ndonjë komunë a fshat tjetër në çdo cep të Shqipërisë s'do mund të mbajnë peng Shqipërinë për liberalizimin e vizave", është shprehur ai.

Ai ka theksuar se Policia e Shtetit ka mbështetjen e plotë të Kryeministrit dhe të Ministrit të Brendshëm për të ndërhyrë në çdo cep të territorit të Republikës së Shqipërisë, "qoftë ai Lazarati apo çdo vend tjetër".

m.xh/NOA

KOMENTE