Tiranë, 5 prill, NOA- Për Partinë Socialiste vjedhja e votave të 28 qershorit po jep pasoja edhe në ekonominë e vendit. Deputeti i PS-së, Taulant Balla u shpreh sot në një konferencë për mediat se "pushteti i ngritur mbi manipulimin e zgjedhjeve dhe vjedhjen e votës ka shtrirë tashmë tentakulat e tij në çdo sektor të ekonomisë shqiptare".
Ai theksoi se me manipulimin e zgjedhjeve kryeministri mbajti një pushtet që po i varfëron dhe më tepër shqiptarët.
Duke u ndalur në situatën ekonomike, Balla theksoi se zonat e përmbytura në dimër ende nuk janë kthyer në normalitet. Ai fajësoi për këtë kryeministrin Berisha duke theksuar se përmbytjet "erdhën si pasojë e papërgjegjshmërisë, babëzisë dhe korrupsionit të pushtetit të Sali Berishës dhe familjes së tij".
Deputeti i PS-së u ndal dhe në çështjen e punësimit duket theksuar se shqiptarët po humbasin më shumë vende pune. "Qeveria e votave të vjedhura e Sali Berishës jo vetëm që nuk po rrit punësimin, por numri i vendeve të punës po ulet ndjeshëm çdo muaj", tha ai.
Bala theksoi se Sali Berisha, "po mban me pahir një pushtet për të vjedhur shqiptarët".
m.xh.NOA