Tiranë, 5 Prill NOA - Presidenti i Republikës Bamir Topi, dekretoi sot pesë gjyqtarë kurse u shpallën nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë që drejtohet prej tij edhe 12 vende vakante për gjyqtarë.
Katër prej gjyqtarëve të emëruar sot, u pozicionuan në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës dhe një në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë.
Kështu në mbështetje të nenit 93 dhe 136, paragrafi 4 të Kushtetutës, me propozim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Presidenti dekretoi emërimin e Elda Vrionit, gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ndërsa Alma Brati, Astrit Faqolli, Lazer Sallaku dhe Petraq Curri, u emëruan gjyqtarë në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës. Pesë gjyqtarët mësohet se kanë përfunduar stazhin e tyre si gjyqtarë magjistratë.
Nga ana tjetër KLD-ja ka shpallur 12 vende vakante në disa gjykata, Tropojë, Shkodër, Vlorë, Pogradec, Lushnjë, Korçë, Kukës, Krimet e Rënda, Gjirokastër dhe Durrës. Ndërkohë që 4 vende vakante janë shpallur për inspektorë pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Personat të cilët duan të marrin pjesë në konkurrim duhet të paraqesin kërkesat dhe dokumentacionin përkatës pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë, brenda datës 07 Maj 2010.
e.r/NOA