Shkup, 5 Prill NOA - Kryetari i Demokracisë së Re, z. Imer Selmani sot realizoi takim pune me ekspertët juridikë dhe politikë Mahmut Jusufi, Mersel Bilalli, Ismet Ramadani dhe Xhemali Saiti dhe përfundoi konsultimet rreth propozimeve të Demokracisë së Re për ndryshime kushtetuese.
Selmani dhe grupi i ekspertëve kanë konstatuar se propozimet e Demokracisë së Re duhet të shkojnë në vijë të përforcimit të përfaqësimit të shqiptarëve në gjyqësi, si dhe krijimin e mekanizmave mbrojtës nga majorizimi gjatë sjelljes së vendimeve, kështu që DR propozon ndryshime në Këshillin Republikan Gjyqësor dhe Gjykatën Kushtetuese.
Sa i përket gjuhës shqipe dhe statusit të saj zyrtar në shtet, Demokracia e Re i përmbahet amendamentit V të Kushtetutës ku gjuha shqipe ka karakter zyrtar, me atë që do të kërkojë sjelljen e ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe konform amendamentit V ku ndër tjerash thuhet se në organet e pushtetit shtetëror (Kuvendi, Qeveria me ministritë dhe organet në përbërje, Gjyqësia) gjuha shqipe gjithashtu është gjuhë zyrtare, e rregulluar me ligj.
Demokracia e Re në takimin e ardhshëm të liderëve të partive më të mëdha do të kërkojë edhe zgjerimin e kompetencave të Komitetit për marrëdhënie ndëretnike, me atë që do të propozojë që ky komitet të ketë ingerenca në miratimin e buxhetit. Me këtë, Demokracia e Re propozon aplikimin e parimit të Badenterit gjatë miratimit të buxhetit.
Propozimet e shtruara nga Demokracia e Re ditëve të ardhshme do t'iu dorëzohen edhe partive tjera për shqyrtim dhe të njëjtat do të jenë temë e takimit të ardhshëm të liderëve.
z.r/NOA