English

Ku duhet orientuar debati politik në Kosovë?

Qeveria e kryeministri Hashim Thaçi u detyra në fund të javës që shkoi të bëj riformatimin e kabinetit të saj, për shkak të problemeve që po krijoheshin nga kjo bashkëjetesë kryesisht brenda LDK, partnere në koalicion. Riformatimi duket se po pritet me zhurmë dhe habi për shkak të pjesëmarrjes në të të ish-kryemnistrit të parë të Kosovës Bujar Bukoshi, një kritik i përhershëm dhe kurajoz i zotit Thaçi sidomos në periudhën e pasluftës kur në Kosovë filluan të shtohen vrasjet politike. Për shumë komentatorë ndryshimet janë pjesë e përpjekjeve për të qetësuar LDK-së dhe për ti dhënë shanse koalicionit të përfundoj një mandate të plotë

Nga Mero Baze

Përbërja e qeverisë së re të kryeministrit Hashim Thaçi po përpiqet të prodhojë zhurmë përmes emrave të rinj që ka futur në qeveri dhe jo përmes parimeve të reja, mbi të cilat mund të qeverisë më tej.

Kështu gjithë zhurma në medien e Kosovës po përqendrohet tek emrat e Bujar Bukoshit dhe Lutfi Hazirit, një ish-kryeministër i Kosovës në mërgim në kohën e rezistencës së Rugovës dhe tjetri zëvendëskryeministër i qeverisë së Kosovës në kohën kur LDK qeveriste me partinë e zotit Haradinaj.

Zhurma në të vërtetë ia ka arritur pikërisht qëllimit, për të cilin zoti Thaçi është investuar në këtë riformatim. Ai ka zgjedhur emra me peshë politike me qëllim që të ketë mundësi opinioni me se të merret. Por problemi real i qeverisë së Kosovës dhe dy partnerëve në koalicion nuk ka qenë as morali politik dhe as rivaliteti i emrave.

Problem real i qeverisë së Kosovës është vonesa në ndërtimin e shtetit ligjor, lidhjet e politikës me krimin dhe mungesa e një vizioni për një demokraci funksionale, që do t'u mundësonte qytetarëve të Kosovës më shumë liri ekonomike më shumë punësim dhe një hapësirë më të gjerë demokratike në media.

Qeveria e zotit Thaçi nuk u riformatua për të korrigjuar këto probleme. Ajo u korrigjua për të mbijetuar dhe si e tillë, ajo vetë ka nevojë për një kor zhurmash, i cili të vajtojë për diçka që s'ka rëndësi, siç dhe po vajton. Kam parë shumë gazetarë kritikë, të cilët i respektoj shumë, të ngrenë pikëpyetje se si Bujar Bukoshi hyn në një qeveri me Hashim Thaçin, duke rikujtuar pa shumë takt dhe oficerët e vrarë pas lufte, vetëm pse nuk iu bindën autoritetit të Thaçit apo veprimtarë të LDK-së të ekzekutuar pa gjyq. Jam shumë i ndjeshëm ndaj kësaj pjese të errët të historisë së Kosovës, madje kam qenë i ndjeshëm dhe shumë aktiv kur vrasjet kanë ndodhur.

Shumë kolegë të mi në Kosovë në atë botë më mbanin mëri pse kam ngritur zërin për ato vrasje të ndyra politike dhe gati më kanë akuzuar për agjent të Beogradit. Tashmë është vonë për t'i vajtuar ata si gazetarë.

Tashmë duhet të nxirren para drejtësisë vrasësit e tyre. Ata gazetarë që heshtën kur ata u vranë, tani së paku është mirë të ngrenë zërin, së paku për t'i çuar vrasësit para drejtësisë. Dhe nëse jemi të sinqertë me veten, të gjithë e pranojmë se vrasjet bëheshin nga njerëz që kishin mbështetje politike nga dy partitë e dala nga UÇK, nga partia e zotit Thaçi dhe partia e zotit Haradinaj.

Nuk i kam parë këta kritikë t'ia përmendin LDK-së apo Rugovës këto vrasje kur LDK-ja bëri aleancë me Haradinajn dhe as kur bëri aleancë me Thaçin. Edhe atëherë familja e Tahir Zemës apo Xhemail Mustafës mund të ketë qarë në heshtje. Procesi i pajtimit në Kosovë nuk mund të mbetet problem liderësh, por problem institucionesh. Gjakun e Xhemail Mustafës, Tahir Zemës, Enver Malokut dhe njerëzve të tjerë të pushkatuar pa gjyq pas luftës, nuk e ka në dorë as të falë i vetëm dhe as ta mbrojë i vetëm Bujar Bukoshi dhe as e kishte Ibrahim Rugova.

Ata ishin pjesë e LDK-së dhe e frymës së saj, ishin pjesë e Kosovës dhe për ta është përgjegjëse e gjithë politika e Kosovës. Vetëm një shoqëri që ka mentalitet kanunor mendon se gjakun e tyre mund të mbrojë një lider dhe jo një shtet ligjor. Së dyti, duke hyrë në qeveri si pjesë e LDK, zëra të tillë kritikë si Bukoshi apo Haziri, nuk është e thënë të konfirmohen me ato çfarë kanë ndodhur, apo ç'mund të ndodhë.

Është pozitive që ata rivitalizohen si pjesë e LDK-së për t'i dhënë më shumë shanse identitetit politik të kësaj partie në raport me zvetënimin dhe nëpunësllëkun që ka pushtuar prej vitesh drejtimin e saj. E kundërta, do të ishte më e trishtuar.

Nëse figurat me kontribut historik dhe politik në LDK do mbeteshin jashtë loje dhe do të zëvendësoheshin me eunuk të rinj, e ardhmja e kësaj partie, por edhe e koalicionit, do ishte më dëshpëruese për Kosovën. Së fundmi, desha të them se debati për formatimin e qeverisë në Kosovë duhet të orientohet në problemet serioze që ka koalicioni dhe jo te problemet që ka LDK-ja.

E sigurt është se zoti Thaçi mund të ketë qetësuar përkohësisht problemet që ka Sejdiu brenda LDK-së, por nuk ka dhënë asnjë sinjal serioz se është i gatshëm të ballafaqohet me ministrat që kanë probleme me korrupsionin në Kosovë. Para disa javësh "The Economist" shkruante për një ministër kosovar që të gjithë e dinë që është i korruptuar, por askush nuk flet nga frika. Aq frikë është kjo sa as "The Economist" nuk ka dhënë dot emrin.

Në kohën kur në Kosovë të vritet frika dhe ministrit hajdut t'i thuhet me emër dhe mbiemër hajdut, qeveria Thaçi dhe çdo qeveri tjetër aty, do të ketë arritur suksesin e parë, lirinë për të folur dhe për të kritikuar pa pasoja qeverinë. Dhe kjo nuk është pak në një shoqëri, e cila përpiqet t'i mbijetojë demokracisë formale me ligje reale të regjimeve parademokratike dhe shpesh pushteteve personale.

Do të ishte një sukses dhe për kolegët e mi gazetarë aty, të cilët sjellin gjuhën rrotull nëpër gojë për të mos e çuar te dhëmballa e prishur. Pasi dhe ndokush që e çon e shpallin menjëherë "armik të shtetit të ri të Kosovës", duke na rikthyer mjerisht shumë vite pas.

(*) Dërguar nga autori, pikëpamjet janë personale

KOMENTE