English

Sherr me granatë në makinë, tre të plagosur

Tiranë, 5 prill, NOA - Një debat në makinë ka arritur deri në përdorimin e granatës, shpërthimi i së cilës ka sjellë dhe plagosjen e tre personave. Ngjarja ka ndodhur dje në rrugën nacionale Tiranë Durrës në afërsi të Ndroqit dhe autor i saj është Ylli Ahmet Alibejsi, 32 vjeç, banues në Durrës.

Sipas policisë Alibejsi ndërsa po udhëtonte me makinën tip "Golf II", me targa Tr. 1525 J është konfliktuar me drejtuesin e mjetit Olgert Goga, 20 vjeç dhe Indrit Gogën i cili ishte pasagjerë në makinë.

Konflikti mes tyre ka arritur deri në nxjerrjen e një granate nga Ylli Alibejsi. Më pas 32 vjeçari nuk është mjaftuar vetëm me kërcënimin, por ka tentuar t'ia fusë granatën në rroba shtetasve Indrit dhe Olgert Goga.

Granata ka rënë në tokë, ku nga shpërthimi i saj kanë mbetur të plagosur lehtë Indrit dhe Olgert Goga si dhe është plagosur edhe vetë autori i ngjarjes Ylli Alibejsi.

Policia sqaron se të tre shtetasit aktualisht ndodhen në spital jashtë rrezikut për jetën.

m.xh/NOA

KOMENTE