Prishtinë, 6 Prill NOA - Nisur nga shqetësimet e fundit që kanë zënë vend lidhur me numrin e madh të personave që kërkojnë lëmoshë nëpër rrugët e kryeqendrës, njësiti i komunitetit të stacionit policor kanë filluar aksionin për largimin e personave që kërkojnë lëmoshë në rrugë, raporton korrespondenti i NOA.
Mësohet se operacioni për parandalimin e kësaj dukurie po kryhet në bashkëpunim me njësitin e dhunës familjare, njësitin e hetimeve, qendrën për punë sociale, kryqin e kuq, kuvendin komunal dhe policinë kufitare.
Gjatë këtij aksioni policia e komunitetit ka arritur të identifikoj dhe shoqëroj në stacion policor 37 persona, prej të cilëve 18 kanë qenë fëmijë.
Intervistimi i personave të ndaluar është bërë në prezencën e punëtoreve të qendrës për punë sociale dhe njësive të përmendura më lart të cilat gjithashtu kanë përfunduar procedurat përkatëse.
Në mesin e të ndaluarve 36 persona kanë qenë nga Shqipëria prej tyre 18 fëmijë. Ndërsa kosovar ka qenë vetëm 1 person i rritur.
Personat janë dërguar në Gjykatën për Kundërvajtje në procedurë të shpejtë, ku masa e shqiptuar nga Gjykata për personat e ardhur nga Shqipëria, ka qenë largim nga Kosova.
Pas vendimit të marrë nga ana gjykatës, policia kufitare do të bëjë transportimin e këtyre personave në pikën kufitare të Vërmicës. Ndërsa rasti për shtetasin e Kosovës vazhdon në procedurë të rregullt.
a.b/NOA