Tiranë 6 prill, NOA /Blerina Ahmetaj - Rreth 16 viktima, 4 prej të cilave gra, kanë humbur jetën si pasojë e dhunës në familje gjatë vitit të kaluar.
Pas shifrave të bëra publike nga ndërkombëtarët gjatë raporteve të tyre për zbatimin e të drejtave të njeriut në Shqipëri, edhe qeveria shqiptare e ka pranuar tashmë këtë realitet të hidhur.
Gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar për Barazinë Gjinore, ministri i Punës, Spiro Ksera, ka deklaruar se vetëm gjatë vitit 2009 numërohen 395 denoncime të dhunës në familje, më shumë se gjatë vitit 2008.
"Si rezultat i këtij ndërgjegjësimi gjatë vitit të kaluar është rritur numri i denoncimit të rasteve të dhunës në familje, në krahasim me një vit më parë, ku rezulton që nga 822 denoncime në vitin 2008, në vitin 2009 të pranë strukturave vendore të policisë të denoncohen 1.217 raste.
Për fat te keq edhe gjatë vitit 2009 janë evidentuar 16 raste dhune në marrëdhëniet familjare me pasojë vdekjen, ku në 4 raste viktimë është bashkëshortja, në 6 raste prindi, dhe në 6 raste persona te tjere te familjes", tha Ksera.
Për herë të parë në vendin tonë po zbatohet projekti I një vrojtimi kombëtar për "Dhunën në familje në Shqipëri", i cili po realizohet nga INSTAT, përfundimet e të cilit do të shërbejnë që politikë-bërësit në nivel qendror dhe vendor të ndërmarrin veprime konkrete dhe efikase kundër dhunës në familje.
Nga ana tjetër, Ksera theksoi në fjalën e tij se ngritja e rrjetit të shërbimeve dhe kapaciteteve profesionale të ofruesve të shërbimeve për individët e dhunuar në familje ka qenë një nga drejtimet e punës së MPÇSSHB gjatë vitit 2009.
"Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta vazhdon ndjekjen e procesit për rikonstruksionin dhe vënien në funksionim të strehëzës për marrjen në mbrojtje dhe rehabilitimin e grave të dhunuara në familje. Punimet janë drejt fazës përfundimtare dhe pritet që strehëza të vihet në funksionim brenda 6-mujorit të parë të vitit 2010".
Ndërsa zv/ministrja e Brendshme Iva Zajmi, anëtare e Këshillit Kombëtar për Barazinë Gjinore tha se ky institucion i ka kushtuar një vëmendje më të madhe rritjes së përfaqësimit të grave në të gjitha nivelet.
"Me shqetësim kemi vërejtur se numri i oficereve femra është ende shumë i ulët", u shpreh Zajmi.
Sipas saj, ka qenë shumë e vështirë të gjendej dhe të vendosej në çdo strukturë policie të ngritur për pritjen dhe trajtimin e viktimave të trafikut apo edhe të dhunës në familje edhe nga një oficere, e cila për vetë natyrën e femrës, do të ngjallë tek viktima ë shumë pozitivitet dhe besueshmëri.
Zajmi u shpreh se po punohet për ndryshimin e këtij raporti dhe se ky do të jetë edhe njëri nga prioritet e Ministrisë së Brendshme për vitin 2010.
b.a/n.e/NOA