Tiranë, 6 prill, NOA - Gjyqtarët kanë të drejtë të përdorin makinat e shtetit që u janë vënë në dispozicion dhe askush nuk mund t'ua heqë ato.
Duke marrë në mbrojtje këtë kategori zyrtarësh, me një qëndrim të tillë, Gjykata Kushtetuese ka dalë kundër vendimit të qeverisë i cili parashikonte heqjen e shërbimit të makinave ofruar zyrtarëve të lartë.
Lajmi bëhet me dijeni për agjencinë e Lajmeve NOA nga burimet zyrtare të Kushtetueses, sipas të cilave, ky organ ka shfuqizuar disa pika të vendimit "Për rregullimin e Shërbimit të Transportit për funksionarët publikë dhe nëpunësit civilë", sa i përket zbatimit të tyre për gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, ata të Gjykatës së Lartë, kryetarin e Gjykatës së Shkallës së Parë si dhe kryetarin e Gjykatës së Apelit.
Në këtë mënyrë, organi i Kushtetueses ka dalë sërish kundër një vendimi apo ligji të qeverisë, gjë të cilën ka guxuar ta bëjë shpesh kohët e fundit.
Mjafton të kujtojmë këtu nismën e rëndësishme për Lustracionin, e cila u hodh poshtë si antikushtetuese për zbatimin praktik të saj apo marrëveshjen e ujërave me Greqinë, e cila u kthye mbrapsht për rishikim të saj etj.
E këtë radhë, Kushtetuesja duket se ka dalë kundër qeverisë duke shfuqizuar si antikushtetues një vendim të ri të saj, siç ishte ai "Për caktimin e numrit të automjeteve dhe të shoferëve në dispozicion të ministrive dhe të institucioneve qendrore", lidhur me zbatimin e tij konkretisht për këtë institucion dhe gjykatat e tjera në vend.
Në këtë mënyrë, organi i lartë që shqyrton kushtetueshmërinë e nismave ligjore në vend, ka marrë në mbrojtje kërkesën e Unionit të Gjyqtarëve dhe aspak, palën e qeverisë e cila e ka argumentuar vendimin e lartpërmendur të lidhur me reduktimet që ai pritet të sjellë në buxhetin e shtetit.
"Duke hequr këtë lloj shërbimi, të cilin këto kategori funksionarësh e gëzonin për shkak të statusit të tyre, ligji ka cenuar parimin e sigurisë juridike, në komponentin e të drejtave të fituara dhe pritshmërisë së ligjshme, mbrojtur nga neni 4 i Kushtetutës për gjyqtarët", thuhet në sqarimin e Kushtetueses lidhur me një fakt të tillë.
n.e/NOA