Tiranë, 6 prill, NOA /Rajmonda Lajthia- U deshën mbi 7 muaj që punimet në tunelin e rrugës Rrëshen- Kalimash të shkojnë drejt përfundimit, edhe pse ai u inaugurua para kohe dhe me shumë bujë, para zgjedhjeve parlamentare të 2009-s.
Në tetor të vitit të kaluar, një shembje e papritur nën njërën prej galerive të tunelit bllokoi qarkullimin e automjeteve, çka detyroi ministrinë e Punëve Publike që të mbyllë tunelin për një periudhë të pacaktuar kohe.
Por premtimi i radhës që vjen nga qeveria për hapjen e tij është data 15 maj 2010. Zv/ministri i Punëve Publike, Ernest Noka, shprehet se vjeshta e këtij viti do t'i gjejë të dy tunelet në gjendje pune.
"Sipas parashikimeve dhe vlerësimeve tona, data 15 maj do të jetë afati kur tuneli jugor do të hapet plotësisht për automjetet", - thotë Noka.
Segmenti Rrëshen-Kalimash është vepra më e kushtueshme e qeverisë shqiptare, e cila po ndërtohet me paratë e buxhetit të shtetit.
Edhe pse nuk ka ende një shifër përfundimtare të kostos së saj, zyrtarët thonë se deri më tani parashikohet të ketë arritur në mbi 750 milion euro.
Por ekspertët e fushës vlerësojnë se kjo shifër ka kaluar mbi 1 miliard euro.
Ky investim dërgoi përpara gjykatës një nga ministrat e kabinetit qeveritar, Lulëzim Basha, me akuzën e shpërdorimit të detyrës, i cili për shkak të procedurave nuk u gjykua.
n.e/NOA