English

PS, thirrje qytetarëve: Çdo ditë në protesta

Tiranë, 6 prill, NOA - Partia Socialiste, përmes deputetes Arta Dade ka ripërsëritur sot apelin për të gjithë qytetarët që t'iu bashkohen protestave të organizuara prej saj për t'i dhënë fund keqqeverisjes, e cila sipas saj, buron nga deformimi i vullnetit të lirë të votës së 28 qershorit.

"Kur një pushtet deformon e grabit vullnetin e zgjedhësve për t'u kthyer në një kastë që pasurohet në kurriz të qytetarëve, një popull i emancipuar ka të drejtën e detyrimin që t'i thotë këtij pushteti ndal, me çdo formë demokratike", tha Dade lidhur me një fakt të tillë.

Prandaj sipas tij, sot Partia Socialiste u bën thirrje të gjithë shqiptarëve që t'u bashkohen protestave të saj të pandalshme.

"Berisha Kryeministër u përpoq të realizonte ëndrrën e vjetër të Saliut President, për ta kthyer Shqipërinë në vendin, ku ai dhe familja e tij sundojnë e pasurohen e ku një popull i tërë vuan pasojat e paaftësisë, korrupsionit, papërgjegjshmërisë dhe arrogancës së pushtetit të vjedhur. Kjo është e papranueshme për një vend të NATO-s", tha Dade gjatë konferencës për shtyp.

Duke shtuar më tej, se "PS u bën thirrje të gjithë shqiptarëve që t'i bashkohen protestave të saj anembanë Shqipërisë për t'i dhënë fund pushtetit të korruptuar, papunësisë në rritje, rënies drastike të ekonomisë, rritjes së frikshme të çmimeve, falimentimit të bizneseve, grabitjes së tokave të fermerëve e bujqve me ligj, varfërisë që thellohet çdo ditë, çdo javë, çdo muaj në qytet e në fshat, që prej 28 qershorit, kur u grabit vota e lirë e shqiptarëve".

n.e/NOA

KOMENTE