English

Shkarkohet Drejtori i Përgjithshëm i Policisë

Prishtinë, 6 Prill NOA - Kryeministri Hashim Thaçi ka shkarkuar nga detyra Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Sheremet Ahmeti, raporton korrespodenti i agjencisë NOA. Në pohimin zyrtar thuhet se vetë Ahmeti ka kërkuar lirimin nga kjo detyrë, pa dhënë më shumë detaje.

"Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, mbështetur në kompetencat e tij sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Ligjit për Policinë e Kosovës, ka miratuar kërkesën e sotme të z. Sheremet Ahmeti për lirimin e tij nga detyra e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës", - thuhet në njoftim.

Me këtë rast, Kryeministri e ka falënderuar z. Ahmeti për punën dhe kontributin e tij të deritashëm në ngritjen dhe profesionalizmin e Policisë së Kosovës.

Kryeministri Thaçi ka emëruar z. Behar Selimi, ushtrues detyre të drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës. Thaçi ka inkurajuar z. Selimi që të kryejë me profesionalizëm dhe përkushtim detyrën me të cilën është ngarkuar dhe t'i thellojë edhe më tutje reformat dhe të avancojë standardet e domosdoshme brenda policisë së Kosovës, për punë edhe më efikase dhe efektive, fuqizim të sundimit të ligjit dhe vazhdim të betejës së pakompromis ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. a.b/NOA

KOMENTE