Uashington, 6 Prill, NOA - Së paku 25 vetë të vdekur, disa të plagosur dhe 19 të humbur është bilanci paraprak pas një shpërthimi në një minierë qymyri në Virxhinia, në pjesën lindore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Shpërthimi ndodhi mbrëmë në orën 21 sipas orës sonë lokale në një vend që i takon kompanisë minerare "Massey Energy's Performance Coal Co", rreth 48 milje në jug të Charleston, kryeqytetit të Virxhinias. "Ndodhi një shpërthim, kemi 25 viktima, disa të plagosur dhe 19 vetë të bllokuar nën tokë", tha një zëdhënës për shërbimet emergjente në Raleigh County. "Disa ekipe të zjarrfikësve janë në vend për të marrë pjesë në operacionet e shpëtimit", vazhdoi zëdhënësi.
Presidenti Barack Obama në një bisedë telefonike me guvernatorin e Virginias, Joe Manchin, i ka shprehur ngushëllimet dhe ndihmën e tij: ka bërë të ditur zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë, Robert Gibbs.
"Ne nuk e dimë çfarë ka ndodhur dhe jemi duke punuar me kujdes në operacionet e ndihmës", tha presidenti i kompanisë minerare "Massey", Don Blankenship.
Sipas zyrës përgjegjëse për sigurinë në miniera në Ministrinë e Punës të Shteteve të Bashkuara, aksidentet në minierat e qymyrit kanë shkaktuar në vend, tetëmbëdhjetë të vdekur në vitin 2009, tridhjetë në 2008, tridhjetë e katër në 2007 dhe dyzet e shtatë në 2006. Këtë vit dymbëdhjetë minatorë vdiqën në Tallmansville, një qytet i vogël i minierave në Virxhinia.
a.k/NOA