Prishtinë, 6 prill, NOA - Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, i ka dërguar një telegram homologut të tij amerikan, Barak Obama, me anë të të cilit i shprehu ngushëllimet më të sinqerta për fatkeqësinë e rëndë që ndodhi dje në Uest Virginia, ku si pasojë e një shpërthimi në një minierë, humbën jetën 25 minatorë amerikanë.
"Ju shkruaj, në emër të popullit dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës, për t'ju shprehur ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e jetëve të bashkëqytetarëve Tuaj, si pasojë e shpërthimit tragjik në minierën e Raleigh County të Uest Virginia-s", nis mesazhi i presidentit Sejdiu.
Më tej, thuhet se populli i Kosovës i gjendet pranë popullit amerikan në këto çaste të vështira dhe se lutet për viktimat dhe familjet, të cilat i humbën më të dashurit e tyre.
n.e/NOA