Prishtinë, 6 prill, NOA - Lufta pa kompromis kundër korrupsionit është e vetmja rrugë që të çon drejt integrimit evropian.
Një fakt të tillë e ka bërë me dije ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Hans-Dieter Steinbach, pas takimit të parë zyrtar që zhvilloi me ministrin e Brendshëm, Bajram Rexhepi.
Duke folur për fenomenin e korrupsionit në vend, diplomati gjerman i ka sugjeruar qeverisë së Kosovës që ta luftojë këtë dukuri e cila kërcënon perspektivën e vendit. "Është shumë e qartë që qeveria e Kosovës duhet ta luftojë korrupsionin. Këto janë pritjet tona, sepse kjo paraqitet si e vetmja rrugë që shpie drejt integrimeve evropiane", u shpreh ai lidhur me një fakt të tillë.
Ndërkaq, duke komentuar gjendjen aktuale në veri të Kosovës, Steinbach tha se popullata e atjeshme duhet të kuptojë se është shumë e rëndësishme që të bashkëpunojë me institucionet e Kosovës.
n.e/NOA