Tiranë, 7 Prill NOA - Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës nis diskutimin me sindikatat e pavarura për arritjen e konsensusit mbi projektligjin "Për statusin e minatorit". Zv.ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, z.Neritan Alibali zhvilloi sot takime të veçanta me përfaqësues të Bashkimi t të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë dhe përfaqësues të Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë.
Në fjalën e mbajtur gjatë takimeve, Alibali tha se, me sugjerimet dhe vërejtjet që sindikatat do të bëjnë mbi draftin e hartuar nga grupi i punës do të nxirret një kuadër ligjor sa më i mirë dhe brenda mundësive që ka shteti shqiptar.
Ne, tha zv.ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, kemi synuar që t'i japim sindikatave një rol parësor në hartimin e draftit të projektligjit. Përsa i përket grupit të punës të ngritur me urdhër të Kryeministrit Berisha, Alibali sqaroi se, ai ka studiuar përvojën dhe legjislacionin e vendeve të tjera të Bashkimit Europian, por edhe të vendeve perëndimore si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mbi të cilën është bazuar në hartimin e projektligjit.
"Grupi i punës ka synuar të njohë në detaje përvojën e vendevetë tjera të BE. Ne kemi studiuar legjislacionin e shumë vendeve të Bashkimit Europian, si Francës, Gjermanisë, Britanisë së Madhe, etj. Kemi njohur përvojën e SHBA, Kanadasë, Australisë dhe kemi konstatuar faktin që në trajtimin e veçantë të këtyre punonjësve, që punojnë në punë të vështira, një rol të veçantë kanë sindikatat e punonjësve, që luftojnë për realizimin e këtyre trajtimeve të veçanta në dy drejtime përballë punëdhënësve, nëpërmjet kontratave kolektive, që përfshijnë nivele të larta të kushteve të punonjësve, dhe nga ana tjetër nëpërmjet kontributit që ata japin nëpërmjet fondeve për trajtime të veçanta", u shreh z. Alibali.
Ndërkohë, në konferencën e dhënë pas takimit me përfaqësues të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, zv.Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës tha se me anë të këtyre takimeve do të realizohet objektivi që ligji të plotësojë kërkesat e punonjësve në industrinë nxjerrëse dhe përpunuese në Shqipëri.
Nga ana e tij, kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, z. Gëzim Kalaja tha se takimi i sotëm me zv.ministrin Neritan Alibali është fillimi i kontaktit për gjetjen e kompromisit për kërkesat e punonjësve në industrinë nxjerrëse dhe përpunuese në vendin tonë.
Kalaja e konsidero si një arritje të madhe për këta punonjës gjetjen e kompromisit me institucionet shtetërore, përkatësisht me grupin e punës të kryesuar nga METE, për kuadrin ligjor që do të lehtësojë kushtet e punës dhe ato sociale e ekonomike të tyre. Bashkëpunimi mes nesh, tha Kalaja, do të jetë nëpërmjet tavolinës së bisedimeve, në mënyrë që të arrihet në një pikë të përbashkët për të lehtësuar jetesën e punonjësve të industrisë nxjerrëse dhe përpunuese.
Edhe në takimin me përfaqësues të Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë zv.ministri z. Neritan Alibali shprehu qëllimin që drafti i hartuar nga grupi i punës të jetë produkt i bashkëpunimit mes qeverisë dhe sindikatave, në mënyrë që të realizohen dhe kërkesat e punonjësve në industrinë nxjerrëse dhe përpunuese në vendin tonë.
Zv.ministri Alibali dhe kreu i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, Kol Nikolla shkëmbyen dhe draftet përkatëse mbi projektligjin "Për statusin e minatorit", që do të shqyrtohen nga të dy palët në mënyrë që të arrihet në një pikë të përbashkët.
e.r/NOA