English

Botohet Poradeci, ashtu si e shkroi poezinë

Tiranë, 7 prill, NOA /Milena Selimi - Të bijat e poetit Lasgush Poradeci, me financimin e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, kanë mundur të nxjerrin për publikun poezinë e autorit, ashtu si ai vetë e shkroi atë, madje edhe me korrigjimet e tij. Në fakt, libri ka filluar që më 2009, një kohë që përkoi me "Vitin e Lasgush Poradecit" në 110- vjetorin e lindjes. Libri u botua nga Shtëpia botuese "AlbPaper".

Por libri është së fundmi për publikun dhe në qarkullim, sipas dy botimeve të hershme të Bukureshtit në vitet '30 dhe korrigjimeve që u bëri më vonë autori.

Botimi i përgatitur për shtyp nga vajzat e autorit Kostandina dhe Maria Gusho ka dhe një parathënie të vetë autorit.

"Poezia që i përshtatet, është POEZIJA, ajo që s'i përshtatet Nuk është poezi dhe pra duhet të vdesë, të mos rrojë - sikundër dhe s'rron po humbet", thotë ai diku. Apo "nuk ka pra poezi të madhe ose të vogël, të mirë ose të keqe, por vetëm poezi që i përshtatet plotësisht potencialit jetësor dhe poezi që s'i përshtatet".

Sipas familjarëve të tij, kemi një variant besnik të poezisë së autorit, sepse i referohet botimeve të dy librave që u bënë në Bukuresht në gjysmën e parë të shekullit XX dhe ç'është më e rëndësishmja, për botimin aktual janë mbajtur parasysh shënimet dhe korrigjimet që Poradeci ka bërë në anë të faqeve.

Ky botim i fundit përmban shpjegime të fjalëve në fund të poezive që ka bërë vetë poeti. "Vallja e yjve" ku bëjnë pjesë "Në vënd parafjale", "Vallja e qjellit", "Vallja e dherit", "Vallja e yjve", "Vallja e përjetësisë", "Vallja e vdekjes" etj., u botua nën kujdesin e Mitrush Kutelit në vjeshtë 1933 në Bukuresht.

Libri II, "Ylli i zemrës" që përmban "Zemra e qiellit", "Zemra e dherit", "Zemra e jetës", Zemra e përjetësisë", "Zemra e vdekjes" doli nga shtypi më 1937 pajisur me një vështrim kritik sërish nga redaktori Mitrush Kuteli. Të dy librat duhet thënë se u sponsorizuan falë mbështetjes së studentëve shqiptarë në Rumani si edhe miqtë letrarë të Bukureshtit. Në koloninë shqiptarë të Bukureshtit.

Poezitë që ishin shkruar në Pogradec, Athinë e Bukuresht deri në vitet tridhjetë, prisnin që të kishin edhe atë që mendohej të ishte libri i tretë, i quajtur "Zemra ime".

m.s/n.e/NOA

KOMENTE