Tiranë, 7 Prill NOA - Një person i dënuar rreth dy vjet më parë për trafik droge është shpallur në këkrim mbrëmjen e sotme nga drejtoria e Policisë së Shtetit pasi nuk ka respektuar afatet e rikthimit në qeli pasi iu dha liri e përkohshme për motive familjare.
Policia ka shpallur në kërkim të dënuarin Artur Koleci i cili më 31 mars 2008 ishte dënuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë me dhjetë vjet heqje lirie për akuzën e trafikut të lëndëve narkotike.
Mësohet se Koleci duhet të rikthehej në mjediset e burgut brenda ditës së sotme pasi ishte shkëputur nga qelia për shkak të një fatkeqësie ku duhet të ishte i pranishëm por nuk është kthyer në kohën që pritej ndaj po kërkohet nga policia.
Koleci ishte arrestuar disa muaj para se të merrte dënimin nga gjyqtari Idriz Malkurti, pasi në automjetin e markës "Mercedez Benz" me targa KO 2374 B, në pronësi të Redian B., u gjet sasia prej 7.9 kilogramë heroinë.
Atëherë policia arrestoi Redian B. por në vijim të hetimit zbuloi se porositësi i "mallit' ishte Artur Koleci të cilin arriti ta kapë pak kohë pas zbulimit të drogës.
Pas kapjes së Kolecit, Prokuroria e Krimeve të Rënda kreu hetimet dhe dorëzoi në gjykatë për gjykim, dosjen penale kundër rrjetit të trafikut të drogës, që tha se fillonte nga Selaniku i Greqisë me destinacion Korçën, Tiranën dhe Kavajën.
Hetimet kanë zbuluar se Koleci ishte pritësi i mallit në Shqipëri, ndërsa drejtuesi i mjetit nuk kishte pasur dijeni mbi këtë çështje.
e.r/NOA