Shkup, 7 prill, NOA - Enti Shtetëror i Statistikave si një nga institucionet e paprekshme dhe kontroverse lidhur me publikimin e shifrave të ndryshme, ka shkaktuar skandalin e radhës, i cili ka të bëjë me qasjen e këtij institucioni ndaj Republikës së Kosovës.
Në raportin e djeshëm për shkëmbimin tregtar me vendet e jashtme, sidomos ato fqinje, Republika e Kosovës si një nga importuesit më të mëdhenj të mallrave nga Maqedonia, njihet sipas Rezolutës 1244.
Me këtë rezolutë vazhdon trajtimi i Kosovës edhe nga ana e Serbisë. Republika e Kosovës në raportin e ESSH-së nuk është përmendur si një nga vendet prioritare të shkëmbimit tregtar, ndërsa në tabelat e detajuara Kosova është shkruar me prefiksin "Kosovo/UNSCR1244".
Nga ESSH nuk kanë dashur të komentojnë këtë duke theksuar se të gjitha informacionet janë dhënë në raportin e përgjithshëm lidhur me shkëmbimin tregtar dhe se ky institucion praktikon agjendat dhe prefikset që përdoren nga organizatat ndërkombëtare financiare dhe ekonomike.
Sipas ESSH-së, partnerët më të mëdhenj tregtar të Maqedonisë janë Gjermania, Rusia, Greqia, Serbia dhe Bullgaria. Në raportin e publikuar, Kosova renditet si një nga vendet e dyta pas Gjermanisë që importon mallra nga Maqedonia.
Shuma e importit të mallrave shkon në 51 milion dollarë gjatë muajve janar-shkurt 2010, edhe pse shkalla e përgjithshme e shkëmbimit tregtar midis dy vendeve është 53 milion dollarë, që do të thotë se Kosova importon mallra në Maqedoni vetëm për rreth 2 milion dollarë.
NOA-INA