Athinë, 7 prill, NOA - Një ekip i Fondit Monetar Ndërkombëtar po qëndron në Athinë në kuadrin e krizës ekonomike që ka prekur vendin fqinj, duke pritur që të ofrojë asistencë teknike në çështje tatimore dhe buxhetore.
Kryeministri është informuar që misioni i FMN-së do të kërkojë masa shtesë dhe reforma të reja, si shkëmbim për ndihmën e tij.
Por ministri i Financave, Jorgos Papakonstandinu, i përgënjeshtroi këto zëra, duke pohuar se këto deklarata nuk kanë asnjë lidhje me realitetin dhe se nuk ka asnjë lëvizje për të ndryshuar termat e marrëveshjes së arritur.
Sipas analistëve grekë, është e pamundur që ardhja e ekipit të FMN të mos lidhet edhe me diskutimin e modaliteteve të marrëveshjes së arritur më 25 mars, që parashikon një ndihmë të koordinuar, me pjesëmarrjen e Bashkimit Europian dhe të FMN-së, në rast se kjo kërkohet nga Greqia.
n.e/NOA