Peqin, 7 prill, NOA - Një goditje me grusht, më pas 10 minuta pa ndjenja përtokë dhe një kamerë televizive e thyer.
Ky është bilanci i dhunës së radhës, të shënuar në stadiumet shqiptare gjatë një ndeshje futbolli, e cila këtë radhë është zhvilluar në Peqin, ndërsa luhej ndeshja Shkumbini-Besa që përfundoi me rezultatin 0-1.
Bëhet me dijeni se trajneri i ekipit "Besa", Shpëtim Duro, është goditur pas përfundimit të ndeshjes nga kreu i bashkisë së Peqinit, Ilir Rrusha dhe nga zv/trajneri i Shkumbinit, Klodian Dervishi.
Sipas informacioneve, Duro ka pësuar dëmtime në sy dhe ka rënë pa ndjenja për dhjetë minuta.
Ngjarja ka ndodhur në tribunën kryesore të stadiumit të Peqinit, ndërsa trajneri i Besës ka deklaruar se do të ngrejë një padi ndaj kreut të bashkisë së këtij qyteti për incidentin e rëndë ndaj tij.
n.e/NOA